POLITIKË

Rama justifikohet në Athinë: Bëra shaka për Platonin

Kryeministri Edi Rama u justifikua pas pakënaqësisë që shkaktuan në Greqi deklaratat e tij pak kohë më parë se grekët nuk janë pasardhës të Platonit dhe Aristotelit.

Duke folur këtë të mërkurë në Forumin Ekonomik Delphi në Athinë, Rama pohoi se deklaratat e tij ishin për humor, me qëllim që “të ngrohte” atmosferën.

“Patëm një problem kur thashë se grekët nuk janë pasardhës të Platonit, por ishte një mënyrë për të hyrë në atmosferën e diskutimit me kolegun tuaj. Nuk kisha ndërmend të zvogëloja vlerat dhe bukurinë e kulturës dhe historisë greke. Ishte një mënyrë për ta “ngacmuar” pak, sepse ne e marrim veten shumë seriozisht” – tha Rama.

Duke iu përgjigjur një komenti të gazetarit të “Kathimerini” Alexis Papahelas se ai “u shfaq armiqësor” me grekët gjatë intervistës, kryeministri shqiptar e hodhi poshtë karakterizimin.

“Armiqësi? Jo, kurrë. Kam admirim të madh për këtë vend”, – tha ai, duke shtuar se ishte thjesht humor që ndoshta nuk i përshtatej tonit të diskutimit.

Megjithatë gazeta greke “Ta Nea” nënvizon se në një moment tjetër të deklaratës së tij, Rama u shfaq i bezdisur kur iu kërkua të komentonte për rastin e Fredi Belerit.

“Pse duhet ta trajtojmë këtë çështje?” pyeti ai, duke vënë në dukje se ka edhe kryetarë të tjerë bashkie që mbeten në burg, ndërsa Beleri është liruar. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button