OP/ AN

“Paketa e Maleve”

Nga Auron Tare

Një mikeshë e imja, deputete e maxhorancës, më kërkoi të pinim një kafe. Me kënaqësi i thashë, aq më tepër që kishim kohë pa u takuar.

Pasi bëmë përshëndetjet e rastit, hyri menjëherë në temë:
Dua të më shpjegosh si e mendon ti “Paketën e Maleve”.

Pse? e pyeta i habitur. Ti e ke votuar, apo jo?

Po, tha, por dua të kuptoj për çfarë bëhet fjalë.

Pse, kur ngritët dorën për dhënien e Butrintit të huajve, kuptuat gjë? e pyeta.
Jo, tha. Na u kërkua dhe votuam.
Po për amendimin e ligjit të zonave të mbrojtura? Për të ndërtuar aty ku s’ndërtohet, kuptuat gjë?
Jo, tha, tashmë me një lloj ndrojtjeje. Po ti e di si funksionon…

Atëherë pse më pyet kot? i thashë. Dhe, mbi të gjitha, pse do ta kuptosh këtë herë?

Po dëgjoj shumë fjalë në zonën time dhe dua ta kuptoj më mirë, u përgjigj.

Shiko, i thashë. Imagjino një fshat në veri apo në jug. Një djalë që ka vite në Spanjë kthehet dhe ndërton një “hacienda”, tamam si ajo që ka parë atje. Komshiu i tij, emigrant në Angli, ndërton një bujtinë në stil tudorian. Një i tretë, që ka jetuar në Kinë, ngre një bujtinë me arkitekturë kineze. Të tre janë të lumtur, pa dyshim. Ligji që ju votuat ua lehtësoi ëndrrën. Por ç’mbetet pas? Një përzierje pa shije, një karikaturë fshati, ku mali shqiptar humbet fytyrën e vet.

“Paketa e Maleve”, si ide, është e mirë. Por ideja, pa njohur realitetin, bëhet shpejt marrëzi. Një nismë e tillë kërkon studime serioze mbi arkitekturën tradicionale, një paketë ligjore që mbron me fanatizëm autenticitetin e fshatit shqiptar, analiza mbi ndikimin ekonomik të turizmit në këto zona dhe mbi të gjitha, një kuptim të thelluar të maturimit turistike të zonave. Përndryshe, rrezikon të përfundojë si Thethi, ku “suksesi” u shndërrua në një dramë sociale.

E mbani mend “100 fshatrat”? Një fasadë e bukur por , një deshtim i plotë.

Cili institucion ka bërë studime reale në terren? Ku është harta e vlerave që kemi dhe që duam të promovojmë në këto zona? Apo mjafton thjesht dëshira dhe një pankartë propagande?

Ndërkohë, ne Zonat Malore mungon gjithçka, shërbimi shëndetësor, strukturat e kerkim -shpëtimit ne raste fatkeqesije, transporti publik, menaxhimi i mbetjeve.
Fshatrat janë zbrazur. Shkollat janë mbyllur apo janë drejt mbylljeve. Zëri i fëmijëve nuk dëgjohet më. Rinia ka ikur nga këto zona.

Kush do të shërbejë në këto bujtina? Në shumë zona të thella, sot shërbimi bëhet nga punonjës të huaj.

Dhe më e dhimbshmja po shuhet jeta baritore sebashku me fshatrat. Malet pa barinj janë si libra pa shkronja. Përtej shpalljeve pompoze për “shtegtimin e tufave” si pasuri botërore, në praktikë nuk është bërë asgjë për ta mbrojtur këtë trashëgimi.

Po si i bëhet? më pyeti.

Shumë thjesht, i thashë. Shqiptarët mund të mos kenë shpikur rrotën, por mund ta përdorin ate. Ka modele plot nga fqinjët tanë. Mjafton vullneti për të mësuar dhe për të zbatuar. Përndryshe, “Paketa e Maleve” do të mbetet një dekor bosh fshatrash të zbrazura dhe, tek-tuk, ndonjë shembull “bujtine” që bota do ta shohë me habi… ose me te tallur.

P.S. Foto e një mikro bujtine me arkitekturë tradicionale shqiptare sot e mbyllur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button