SHËNDET

Kanceri i pankreasit/ Ky ilaç mund të shënojë kthesë historike

Një zhvillim i ri shkencor po ngjall shpresë për trajtimin e kancerit të pankreasit, një nga format më vdekjeprurëse të kancerit.

Sipas National Geographic, rezultatet e një prove klinike të fundit tregojnë se ilaçet që synojnë mutacionin gjenetik KRAS, i pranishëm në mbi 90% të rasteve mund të përmirësojnë ndjeshëm mbijetesën e pacientëve. Ky mutacion ka qenë për dekada “i patrajtueshëm”, duke e bërë këtë zhvillim një moment të rëndësishëm në onkologji.

Në qendër të këtij përparimi është ilaçi eksperimental daraxonrasib, i cili vepron duke bllokuar proteinat RAS që nxisin rritjen e tumorit. Në një studim të fazës së tretë me pacientë që kishin kaluar trajtime të mëparshme, ilaçi pothuajse dyfishoi kohëzgjatjen mesatare të mbijetesës, rreth 13.2 muaj krahasuar me 6.7 muaj me kimioterapi standarde. Ky rezultat konsiderohet nga ekspertët si një nga përparimet më të mëdha në dekada për këtë sëmundje, e cila tradicionalisht ka pasur shumë pak opsione efektive trajtimi. 

Megjithatë, specialistët theksojnë se, edhe pse rezultatet janë shumë premtuese, ilaçi nuk është një kurë përfundimtare dhe kërkohen studime të mëtejshme për të konfirmuar efektivitetin dhe sigurinë në një shkallë më të gjerë. Gjithsesi, ky zhvillim po konsiderohet si fillimi i një epoke të re në trajtimin e kancerit të pankreasit dhe mund të hapë rrugën për terapi të reja të personalizuara edhe për lloje të tjera kanceri që lidhen me mutacionin KRAS.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button