AKTUALITET

Aksident në autostradën Lushnje-Fier, një i plagosur

Një aksident rrugor është regjistruar rreth orës 09:30 në aksin Autostrada Lushnje-Fier, në afërsi të fshatit Bishqethëm.

Sipas informacioneve paraprake, një automjet me targa greke është përplasur nga pas nga një mjet tip fuoristradë, duke dalë nga rruga dhe përfunduar në kanalin anësor të autostradës.

Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i mjetit me targa greke, një emigrant që ishte kthyer nga Greqia drejt familjes së tij, është transportuar në spitalin e Lushnje. Burime mjekësore bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e urgjencës dhe Policia Rrugore, të cilat kanë kryer veprimet e para dhe kanë menaxhuar qarkullimin në zonë.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Paraprakisht dyshohet se shkak është bërë mosrespektimi i distancës së sigurisë nga drejtuesi i fuoristradës, në momentin kur automjeti tjetër kishte sinjalizuar për të kaluar në një rrugë dytësore.

Aksi Lushnje-Fier vijon të konsiderohet problematik për shkak të numrit të lartë të aksidenteve që regjistrohen shpesh në këtë zonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button