
Rezultatet e çuditshme nuk kanë munguar edhe në javën e parafundit të kampionatit Abissnet Superiore, e zhvilluar e gjitha në orën 16.00: humbasin dy skuadrat kryesuese të mundura nga Bylis e Tirana e Vora i rikuperon dy gola Dinamos për pikën që i duhej.
Këtë herë janë dhënë dy verdiktet e para të sezonit. Flamurtari bëhet skuadra e parë e rrëzuar nga kategoria, pas barazimit 1-1 në shtëpi me Teutën, ndërsa Partizani është përfundimisht jashtë Europës pas humbjes në Rrogozhinë, ku debutoi me fitore Nevil Dede.
“Surprizat” e parashikuara
Tirana mposhti Vllazninë, në humbjen e tretë radhazi përfshirë eliminimin në Kupën e Shqipërisë. Skuadra e Orges Shehit triumfoi 1-0 me penalltinë e Rafael, duke vazhduar fazën e katërt model: asnjë humbje, 6 fitore e dy barazime. Praktikisht 20 pikë në 8 ndeshje në xhiron e fundit të kampionatit, kur në tre të parat kishte marrë 21 në 27 ndeshje.
Një skuadër e shndërruar nga e nëpërkëmbur nga të gjithë, në një absolute e kampionatit, gjëra që ndodhin vetëm në vendin tonë. Vllaznia nuk shqetësohet për renditjen, sepse Elbasani ka mbetur po 2 pikë para e as për kartonët e kuq të Bajramit e Malës, që do të kthehen në dispozicion pikërisht për Final 4.
41 pikë Tirana e Bylis i përgjigjet po në të njëjtën kuotë me fitoren 2-1 ndaj Elbasanit. Verdheblutë kanë mbajtur pas shkodranët, por duhet të bëjnë kujdes në javën e fundit, kur do të presin Tiranën e “frikshme”, që nëse nuk merr pikë në javën e 36 mund ta shohë veten në playout. Në vështirësi ballshiotët, sipas llogarive, sepse në javën e fundit nëse nuk bëjnë pikë në Vorë mund të bien nga kategoria.
Vora rikuperon dy gola ndaj Dinamos, duke marrë një pikë në barazimin 2-2 në kryeqytet, që e lejon të shpresojë shpëtimin në javën e fundit. Për momentin Bellai është në zonën playout, por duhet të fitojë në sfidën e fundit me Bylis për të shpëtuar. E duke qenë se kanë marrë një fitore në shtëpi e dy humbje në transfertë, Vora shpreson të fitojë para publikut të vet, duke respektuar trendin. Dinamo nga ana tjetër me pikën e marrë e ka bërë të pavlefshme derbin e kryeqytetit në javën e fundit, sepse Partizani nuk mund ta arrijë më. E me katërshen të blinduar e me finale e Kupës për të diskutuar me Egnatian, të gjithë në Final 4 janë të lumtur në Europë.
Egnatia e Dinamo vendosin Final 4
Egnatia e bëri detyrën, në debutimin e teknikut Dede, duke likuiduar 2-0 Partizanin në Rrogozhinë. Tekniku ndërpret atëherë kur duhej serinë prej 4 humbjesh, duke fshirë rrezikun që kanosej nëse të kuqtë do të futeshin në katërshe në vend të Dinamos. Sidoqoftë, largimi i Kërnajës nuk ka ndryshuar asgjë dhe të kuqtë kanë 8 ndeshje pa fitore me vetëm një pikë në 5 javët e fundit.
Bie nga kategoria Flamurtari, përpjekjet “titanike” të të cilëve në javët e fundit morën fund në ndeshjen e parë kur kundërshtarit i duhej detyrimisht një pikë për të evituar playout, gjithnjë nëse në ndeshjen e fundit nuk fiton me Egnatian. Vlonjatët rrëzohen e kthehen andej nga ardhën me keqerdhjen e një sezonit të dështuar në project, por ku investimet nuk munguan.
Bie Flamurtari…
Kategoria Superiore
FC Dinamo City 2-2 Vora
Flamurtari FC 1-1 Teuta Durres
KF Bylis 2-1 AF Elbasani
KF Egnatia 2-0 Partizani
KF Tirana 1-0 Vllaznia











