Trump: Sapo lexova përgjigjen e Iranit dhe nuk më pëlqeu

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump e përshkroi përgjigjen iraniane ndaj propozimit amerikan të paqes si “krejtësisht të papranueshme”.
“Sapo lexova përgjigjen nga të ashtuquajturit “përfaqësues” të Iranit. Nuk më pëlqen dhe është krejtësisht e papranueshme”, – tha presidenti amerikan, sipas Reuters.
Më herët, agjencia iraniane e lajmeve IRNA raportoi se përgjigjja e Iranit iu përcoll Shteteve të Bashkuara përmes kanaleve të ndërmjetësimit pakistanez, ndërsa kuadri i propozuar përcakton që “në këtë fazë, negociatat do të përqendrohen në përfundimin e luftës”.
Sipas Agjencisë Iraniane Tansim, propozimi i Iranit përfshin nevojën për një përfundim të menjëhershëm të luftës në të gjitha frontet, si dhe garanci kundër çdo sulmi të ri ndaj Teheranit. Në të njëjtën kohë, propozimi i Iranit thekson nevojën për të hequr sanksionet e SHBA-së mbi shitjet e naftës iraniane për një periudhë prej 30 ditësh.
Teherani ka shprehur dyshime nëse dhe në çfarë mase diplomacia amerikane është serioze.
“Përshkallëzimi i fundit i tensioneve nga forcat e armatosura amerikane dhe shkeljet e shumta të armëpushimit nga ana e tyre ngrenë dyshime për motivet dhe seriozitetin e palës amerikane në lidhje me rrugën e diplomacisë”, – theksoi dje Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi.
Në një postim, Trump sulmoi ashpër si Teheranin ashtu edhe kundërshtarët e tij politikë, duke shkruar se “Irani ka luajtur lojëra me Shtetet e Bashkuara dhe pjesën tjetër të botës për 47 vjet”.
Trump pretendon se ish-Presidenti Barack Obama “jo vetëm që ishte në favor të Iranit”, por “mori anën e tyre duke përjashtuar Izraelin dhe të gjithë aleatët e tjerë”.
“Për 47 vjet, iranianët na kanë tallur, na kanë lënë të presim, kanë vrarë njerëzit tanë me bombat e tyre në rrugë, kanë shtypur protestat dhe së fundmi kanë vrarë 42,000 protestues të pafajshëm e të paarmatosur, dhe kanë qeshin me vendin tonë që është përsëri i shkëlqyer. Ata nuk do të qeshin më! ”, shtoi presidenti amerikan.









