KULTURËTOP-NEWS

“Lafsha-lafsha” me reformën territoriale / Satira e mallakastriotit me myzeqarin: “Për një certifikatë po shkojmë në fund të dynjasë”

(Mos ma merrni për seriozisht, është kritikë satirike…)

Kështu nis rrëfimi me nota humori dhe ironie i Abazit, një qytetari mallakastriot me shokun e tij të dominove, Lilos myzeqar, i cili komenton reformën territoriale dhe mënyrën se si, sipas tij, janë përzier zonat administrative duke u kthyer në një problem të madh për qytetarët.

“O Lilo, Lilo, e di ç’thonë për reformën territoriale që u bë takimi dje në Fier? Po dëgjoja ca  aty në Facebook. Hyra në Facebook dhe këta ishin live. Po i dëgjoja. Po këta e kanë bërë lafsha-lafsha fare. I kanë përzier të gjithë bashkë.

Cakrani historik bashkë me malet e thepisura. Njerëzit nga fundi i Cakanit i çojnë në Levan. Ata të shkretët, për të marrë një certifikatë në gjendje civile apo për ndonjë hall tjetër, çfarë do bëjnë?”

Qytetari vijon me ironi edhe për ndarjen e zonave të Mallakastrës, duke thënë se banorët janë shpërndarë sa andej-këtej, duke u detyruar të udhëtojnë kilometra të tëra vetëm për të marrë një dokument.

“Po malakastriotët? Edhe ata i bënë lafsha-lafsha. Një pjesë i hodhën nga Tepelena me malet, një pjesë i çuan nga Vlora, një pjesë i ngjitën nga Ballshi këtej. Çfarë do bëjnë të shkretët? Të nisen nga Aranitasi apo Gjerbësi e të shkojnë në Tepelenë për të marrë një certifikatë? Apo ata nga Bejari e Drizari të bredhin deri në Vlorë? Ore, më kollaj del në Selanik sesa të marrësh një dokument!”

Në monologun satirik nuk mungojnë as thumbat për burokracitë dhe korrupsionin.

“I bënë lafsha-lafsha këto punë dhe prapë ne u dhamë votën. Unë isha dje te zyrat e djali se vajta të merrja një pagure me raki. E kam si biçim drejtori dhe i”çojnë” gjëra kshu falas. Po i shikoja edhe në Facebook. Këta s’merren vesh fare. E kanë bërë çorap.”

Më tej ai ndalet te fenomeni i ryshfetit dhe sorollatjes së qytetarëve për dokumente.

“Edhe ç’më tha njëri, more Lilo? Kush ka lekë do japë bakshish dhe do e marrë dokumentin. Tjetri do vijë nga fundi i dynjasë në anën tjetër të dynjasë për një certifikatë e do presë në radhë gjithë ditën. Siç ishte puna e pasaportave dikur, kur duheshin 800 euro rryshfer se ajo 5 mijë lekë bënte.”

Sipas tij, më të penalizuarit janë qytetarët e thjeshtë dhe emigrantët.
“Ata që kanë lekë e mbarojnë punën. Ata që s’kanë, sorollaten dyerve. Tani do hanë edhe lekët e emigrantëve. E nxorën punën nga binarët fare.”

Në fund, mes humorit popullor dhe zhgënjimit, qytetari thotë se njerëzit ankohen, por përsëri vazhdojnë të votojnë të njëjtët politikanë.
“Kur vijnë votimet themi do i votojmë kundër, po prapë kështu bëhet. I marrin kutitë, i hedhin andej-këtej e bëjnë si u do qejfi. I mbushin vet lutitë”.

Satira mbyllet me atmosferën e zakonshme të lagjes, ku mes dominove dhe bisedave në shesh, qytetarët vazhdojnë të komentojnë politikën me humorin karakteristik shqiptar.

“Epo mirë mo, u pa puna jonë, vëlla. Hajde te Shatërvani të luajmë një dorë domino, se aromën e fekalwve e kemi falas nga WC-ja pranë. Ka ardhur kohë e keqe, Lilo… shumë e keqe”, ka mbaruar bisedën Abazi nga Mallakastra me Lilon nga Myzeqeja

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button