Guardiola nuk do të jetë më trajneri i Manchester City: të dielën, fundi i një epoke

Pep Guardiola do të largohet nga Manchester City në fund të kësaj jave. Trajneri spanjoll pritet të drejtojë edhe dy ndeshjet e fundit të Premier League kundër Bournemouth dhe Aston Villa, përpara se t’i japë fund aventurës së tij në “Etihad”.
Guardiola e udhëhoqi Manchester City drejt triumfit në FA Cup të shtunën, teksa mposhti Chelsea 1-0 në Wembley. Dhe ky mund të jetë trofeu i fundit për katalanasin si trajner i Citizens, pas një dekade të mbushur me suksese. City ka ende një shans të vogël për të fituar titullin kampion, por duhet të fitojë dy ndeshjet e mbetura dhe të shpresojë që Arsenal të humbasë pikë kundër Crystal Palace.
Guardiola ka fituar gjashtë tituj të Premier League me Manchester City, përfshirë katër radhazi, një rekord historik. Ai gjithashtu i dha klubit Champions League-in e parë dhe të vetëm në histori, si edhe fitoi tre FA Cup, pesë League Cup dhe tre Community Shield. Ish-trajneri i Barcelonës dhe Bayern Munich prej kohësh përflitej se do të largohej në fund të këtij sezoni, ndërsa tashmë City ka nisur të njoftojë palët kryesore përpara një komunikate zyrtare që sipas “Daily Mail” pritet të vijë të dielën.
Kontributi i Guardiolës te City do të festohet më pas me një paradë me autobus të hapur në rrugët e Manchesterit të hënën, së bashku me lojtarët, ekipin e femrave dhe akademinë. Ish-trajneri i Leicester dhe Chelsea, Enzo Maresca, konsiderohet kandidati kryesor për të zëvendësuar Guardiolën. Ai ishte një nga ndihmësit e Pep te City gjatë sezonit 2022-23, përpara se të merrte drejtimin e Leicester.
Guardiola u bashkua me Manchester City në vitin 2016, pas katër vitesh te Barcelona dhe tre te Bayern Munich. Ai fitoi titullin kampion në sezonin e dytë dhe të tretë në “Etihad”, përpara se të humbiste garën ndaj Liverpool të Jurgen Klopp. Më pas erdhën katër tituj radhazi rekord, përpara se Arne Slot ta rikthente titullin në “Anfield” sezonin e kaluar.
City humbi finalen e Champions League ndaj Chelsea në vitin 2021, por Guardiola mori hakun dy vite më vonë kur skuadra e tij mposhti Interin dhe fitoi për herë të parë Champions League. Ishte gjithashtu kupa e parë me veshë të mëdhenj për spanjollin si trajner, që nga triumfi me Barcelonën në sezonin 2010-11.









