Aktivistët e poshtëruar në Izrael/ Si reaguan qeveritë europiane

Aktivisti shqiptar Baki Goxhaj duket se është i vetmi nga aktivistët e kapur në Izrale, për të cilin shteti i tij nuk ka pasur një reagim të fortë që dënon videon e ministrit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben-Gvir.
Ai publikoi të mërkurën filmime ku shfaqet duke provokuar aktivistët e ndaluar të flotiljes në Ashdod, pasi forcat izraelite interceptuan anijet e tyre të martën. Mes tyre është edhe shqiptari Baki Goxhaj, familja e të cilit deri të mërkurën nuk dinte asgjë për fatin e tij.
Në filmimin që publikoi ministri i Benjamin Netanjahut duket një aktiviste që detyrohet nga forcat speciale të ulë kokën pasi ajo bërtet “Liri, Palestinë e lirë”, ndërsa Ben-Gvir i përgjigjet: “Hesht!”, përpara se të vazhdojë të ecë.
Në një video tjetër, Ben-Gvir shfaqet duke valëvitur flamurin izraelit dhe duke thënë: “Mirë se vini në Izrael! Ne jemi pronarët e shtëpisë”.
Në një tjetër regjistrim, ai dëgjohet ndërsa në sfond luhet himni kombëtar izraelit, Hatikvah, ndërkohë që aktivistët e flotiljes janë të gjunjëzuar në dysheme me kokat ulur. Videoja përfshin gjithashtu pamje të aktivistëve që ecin me duart e lidhura.
Netanyahu: Veprimet e tij janë të papranueshme
Duke reaguar ndaj videove të Ben-Gvir, kryeministri Benjamin Netanyahu tha se, ndonëse Izraeli ka të drejtë të reagojë ndaj flotiljes, sjellja e ministrit të Sigurisë Kombëtare ishte e papranueshme.
“Izraeli ka çdo të drejtë të parandalojë flotiljet provokuese të mbështetësve terroristë të Hamasit që të hyjnë në ujërat tona territoriale dhe të arrijnë në Gaza. Megjithatë, mënyra se si ministri Ben-Gvir u soll me aktivistët e flotiljes nuk është në përputhje me vlerat dhe normat e Izraelit”, deklaroi Netanyahu.
“Kam udhëzuar autoritetet përkatëse që t’i deportojnë provokatorët sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi ai.
Gideon Sa’ar: Performancë e turpshme, ju nuk jeni fytyra e Izraelit
Edhe ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, reagoi ashpër ndaj Ben-Gvir. “Ju i keni shkaktuar qëllimisht dëm shtetit me këtë performancë të turpshme, dhe jo për herë të parë.
Ju shpërdoruat përpjekje të jashtëzakonshme, profesionale dhe të suksesshme të bëra nga shumë njerëz – nga ushtarët e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit deri te punonjësit e Ministrisë së Jashtme dhe shumë individë të tjerë të shquar. Jo, ti nuk je fytyra e Izraelit”, deklaroi Sa’ar.
Ndërkohë, llogaria zyrtare në X e Ministrisë së Jashtme izraelite publikoi një video ku shfaqen ushtarë që ofrojnë ndihmë, të shoqëruar me mbishkrimin: “Këto janë vlerat tona”.
Përgjigjja e Ben-Gvir: Kushdo që mbështet terrorizmin do të goditet
Përgjigjja e Ben-Gvir ndaj kritikave të ministrit të Jashtëm ishte po aq e ashpër.
“Disa në qeveri nuk e kanë kuptuar ende se si duhet të sillen ndaj mbështetësve të terrorizmit. Ministri i Jashtëm izraelit duhet ta kuptojë se Izraeli ka pushuar së qeni një vend i dobët. Kushdo që vjen në territorin tonë për të mbështetur terrorizmin dhe për t’u identifikuar me Hamasin do të goditet me shuplakë dhe ne nuk do ta kthejmë faqen tjetër”, deklaroi ai.
Politikanët izraelitë akuzojnë Netanyahun Udhëheqësi i partisë “Yashar!”, Gadi Eisenkot, tha se Ben-Gvir “po dëmton qëllimisht imazhin e Izraelit në botë për të mbledhur pëlqime në rrjetet sociale”.
“Edhe në këtë rast, përgjegjësia bie kryesisht mbi kryeministrin që e emëroi atë. Një kryeministër që mbron vërtet interesat e Izraelit duhet ta kishte shkarkuar prej kohësh”, shtoi ai.
Edhe ish-kryeministri dhe bashkëkryetari i partisë “Mazi”, Yair Lapid, akuzoi Netanyahun për përgjegjësi politike.
“Sulmi i sotëm ‘shpjegues’ u krye nga Ben-Gvir, por personi përgjegjës për këtë incident të rëndë është kryeministri, i cili solli në qeveri një kriminel të dënuar dhe pranoi të bëhej bashkëpunëtor i një individi kaq të papërgjegjshëm”, shkroi Lapid.
Më vonë, disa zyrtarë të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit i thanë transmetuesit publik KAN News se Ben-Gvir “përfitoi nga pozicioni i tij për të tërhequr vëmendje”.
Reagimi i Greqisë
Ministria e Jashtme greke e cilësoi sjelljen e Ben-Gvir ndaj qytetarëve grekë pjesëmarrës në “Flotiljen Globale Sumud” si “të papranueshme” dhe “absolutisht të dënueshme”.
Sipas deklaratës, me urdhër të ministrit të Jashtëm Giorgos Gerapetritis, u zhvillua një protestë diplomatike dhe autoriteteve izraelite iu kërkua lirimi i menjëhershëm i shtetasve grekë.
“Ne kërkojmë respekt të plotë për të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe të drejtat e njeriut dhe u bëjmë thirrje autoriteteve izraelite të përfundojnë sa më shpejt procedurat dhe të lirojnë menjëherë qytetarët grekë”, thuhet në deklaratë.
Italia thërret ambasadorin izraelit
Qeveria italiane deklaroi se trajtimi i aktivistëve që përpiqeshin të dërgonin ndihma në Gaza ishte i papranueshëm dhe njoftoi se do të thërriste ambasadorin izraelit për shpjegime.
Në një deklaratë të përbashkët, kryeministrja Giorgia Meloni dhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani thanë se Italia “kërkon ndjesë për trajtimin” e aktivistëve dhe për “mungesën totale të respektit” ndaj kërkesave të qeverisë italiane.
“Imazhet e ministrit izraelit Ben-Gvir janë të papranueshme. Është e papranueshme që këta protestues, mes tyre shumë qytetarë italianë, t’i nënshtrohen një trajtimi që cenon dinjitetin e tyre njerëzor”, thuhet në deklaratë.
Meloni shtoi se qeveria italiane po “ndërmerr menjëherë, në nivelet më të larta institucionale, të gjitha masat e nevojshme për të siguruar lirimin e menjëhershëm të qytetarëve italianë”.
Franca: “Veprimet e Ben-Gvir janë të papranueshme”
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, njoftoi gjithashtu thirrjen e ambasadorit izraelit në Paris.
“Veprimet e z. Ben-Gvir ndaj pasagjerëve të flotiljes ‘Global Sumud’, të dënuara edhe nga kolegët e tij në qeverinë izraelite, janë të papranueshme”, deklaroi Barrot.
“Pavarësisht mendimeve për këtë flotilje – dhe ne kemi shprehur vazhdimisht mosmiratimin tonë ndaj kësaj iniciative – bashkatdhetarët tanë duhet të trajtohen me respekt dhe të lirohen sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi ai.
Reagime nga Britania, Kanadaja, Irlanda, Gjermania, Holanda dhe Belgjika
Sekretarja britanike e Jashtme, Yvette Cooper, deklaroi se ishte “vërtet e neveritur” nga videoja dhe tha se Londra po ofron mbështetje konsullore për shtetasit britanikë të përfshirë.
Kanadaja njoftoi gjithashtu se do të thërriste ambasadorin izraelit. Ministrja e Jashtme Anita Anand deklaroi: “Ajo që kemi parë, përfshirë videon e shpërndarë nga Itamar Ben-Gvir, është thellësisht shqetësuese dhe absolutisht e papranueshme”.
Ministrja e Jashtme irlandeze Helen McEntee tha se ishte “e tmerruar dhe e tronditur” nga pamjet dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të shtetasve irlandezë.
Ambasadori gjerman në Izrael, Steffen Seibert, e quajti trajtimin e aktivistëve “krejtësisht të papranueshëm dhe të papajtueshëm me vlerat themelore të vendeve tona”.
Edhe Holanda njoftoi se do të thërriste ambasadorin izraelit. Ministri i Jashtëm holandez Tom Berendsen deklaroi se “trajtimi i të ndaluarve shkel dinjitetin themelor njerëzor”.
Belgjika ndërmori të njëjtin veprim. Ministri i Jashtëm Maxime Prévot tha se pamjet ishin “thellësisht shqetësuese” dhe se situata humanitare në Gaza mbetet “katastrofike”.











