Incident në koncertin e Ricky Martin, ndërhyn policia pas sulmit

Ricky Martin përjetoi momente tensioni gjatë një koncerti në Mal të Zi, pasi performanca e tij u ndërpre papritur nga një person që hodhi gaz lotsjellës pranë skenës.
Ngjarja ndodhi të enjten në mbrëmje, ndërsa këngëtari latin po performonte para mijëra fansave në kuadër të turneut të tij europian. Publicistja e artistit, Róndine Alcalá, konfirmoi përmes një deklarate në Instagram se këngëtari dhe ekipi i tij janë mirë dhe jashtë rrezikut.
“Një person hodhi gaz lotsjellës drejt skenës, duke shkaktuar ndërprerjen e menjëhershme të koncertit, ndërsa publiku u largua nga zona dhe mori ndihmë,” thuhej në deklaratë.
Si masë sigurie, Ricky Martin dhe stafi i tij u larguan menjëherë nga skena, ndërkohë që forcat e sigurisë dhe autoritetet lokale morën situatën nën kontroll. Pas ndërhyrjes së policisë dhe konfirmimit se gjithçka ishte e sigurt, artisti vendosi të rikthehej në skenë dhe të vazhdonte koncertin për fansat e tij.
“Ricky vendosi të rikthehej për të respektuar angazhimin ndaj publikut,” shtoi publicistja e tij.
Këngëtari 54-vjeçar ndodhet aktualisht në turne botëror dhe pritet të vazhdojë koncertet në disa vende europiane, përfshirë Moldavinë, Serbinë, Kroacinë, Italinë, Zvicrën dhe Gjermaninë.









