Fier, deputeti Luan Baçi: Pjesëmarrja në votim e lartë, proces normal dhe pa incidente

Deputeti i Partisë Demokratike për qarkun e Fierit, Luan Baçi, ka deklaruar se pjesëmarrja në procesin e votimit të zhvilluar sot në kuadër të referendumit për kryetarin e PD-së ka shkuar në shifra të larta.
Gjatë një prononcimi për SYRI TV, Baçi u shpreh se votimi ka qenë i konsiderueshëm dhe është zhvilluar në mënyrë graduale gjatë gjithë ditës, nga orët e mëngjesit deri në mbrëmje.
Sipas tij, procesi ka vijuar normalisht dhe pa asnjë incident të raportuar, ndërsa ka theksuar se pjesëmarrja ka qenë mbi pritshmëritë në degët lokale.
Prononcimi për SYRI TV:
Xhemil Beharaj: Atëherë një pyetje nga studio: Si deputet i qarkut të Fierit, e keni ndjekur nga afër procesin e votimit ditën e sotme. Si ka qenë ecuria e votimit dhe a e ka kaluar 50%-shin?
Luan Baçi: Po, patjetër që e ka kaluar 50%-shin, pavarësisht se për mua pak rëndësi ka përqindja. Pjesëmarrja ka qenë e konsiderueshme, absolutisht mbi 50%, dhe ka qenë një pjesëmarrje graduale gjatë gjithë ditës, që në mëngjes e deri në orët që po flasim tashmë. Madje është shtyrë me vendim të KOKOE-s, është shtyrë votimi edhe për një orë tjetër, deri në orën 19:00 të mbrëmjes. Jemi duke pritur për arsye se ka telefonata dhe kemi komunikime për demokratë të tjerë, që, duke qenë se kanë qenë në punë të ndryshme, po vijnë për të votuar. Ka qenë një proces shumë korrekt, një proces i rregullt, një proces normal, pa asnjë lloj incidenti.
Shiko, më duhet të them, është një votim që bëhet për liderin historik të Partisë Demokratike, profesor doktor Sali Berisha. E kam thënë shpesh herë në shumë dalje televizive, është i pakonkurrueshëm dhe është një nga figurat kryesore të Partisë Demokratike. Të gjithë demokratët, anëtarët e Partisë Demokratike, vijnë me qejfin e vet për të votuar dhe për të rikonfirmuar kryetarin e Partisë Demokratike, zotin Berisha.









