
Procesi i votimit për zgjedhjet e brendshme të Partisë Demokratike në qytetin e Fierit po shkon drejt mbylljes, me një pjesëmarrje që raportohet të ketë tejkaluar shifrën e 50%. Ndërkohë që pritet një fluks i ri votuesish gjatë momenteve të fundit, procesi nuk ka kaluar pa zhurmë mediatike pas disa pamjeve të publikuara online.
Një detaj domethënës i këtij procesi është vendosmëria e qytetarëve për të votuar. Ndonëse selia e partisë ndodhet në katin e katërt të një pallati, të moshuar mbi 80 vjeç dhe persona me probleme shëndetësore kanë sfiduar vështirësitë fizike dhe shkallët për të hedhur votën e tyre.
Votimi parashikohet të mbyllet zyrtarisht në orën 18:00, por kryetari i komanduar në Fier, Ardian Fero, ka theksuar se procesi mund të shtyhet në rast se konstatohet radhë apo fluks anëtarësh në minutat e fundit.
Menjëherë sapo komisioni të shpallë mbylljen, kutitë nuk do të zhvendosen, por do të hapen për të nisur numërimin aty për aty.
Duke marrë parasysh numrin e fletëve dhe organizimin, rezultati përfundimtar pritet të shpallet brenda një afati kohor prej 60 deri në 90 minutash nga nisja e procesit të numërimit.
Për Syri Tv, gazetari Xhemil Behari raportoi: “Përsa i përket procesi i votimit ka ecur normalisht, pa aksese, çdo gjë ka qenë brenda rregullave dhe brenda normave që zbatohet dhe rregullorës që zbatohet në këto raste për të votuar.
Me kontaktin dhe me bisedën që kam bërë me kryetarin e komanduar në Fier, Ardian Fero, më ka thënë që në qoftë se ka fluks, atëherë do të komunikojmë me qendrën dhe mund të shtyjmë procesin e votimit nëse ka fluks dhe radhë. Dhe tjetra lë për të dëshiruar në atë aksesin e mirë, sepse edhe pse selia e Partisë Demokratike ndodhet në një pallat në katin e katërt, kanë ardhur shumë të moshuar, të kaluar të 80-at që janë ngjitur në katin e katërt dhe kanë votuar, sikurse edhe njerëz me probleme shëndetësore që kanë ardhur dhe kanë votuar, kanë shprehur vullnetin e tyre. Tashmë është ajo që thatë juve që në orën 18:00, në qoftë se nuk ka më anëtarë të Partisë Demokratike dhe vendoset në orën 18:00 dhe komisioni do vendosi që të mbyllet, atëherë do të mbyllet dhe komisioni do të hapë kutinë e votimit dhe do të bëjë numërimin e tyre. Besoj se brenda një orari 60-90 minuta mund të dalë dhe rezultati përfundimtar”.









