AKTUALITETTOP-NEWS

Ku janë djemtë? Universitetet shqiptare “pushtohen” nga vajzat

Sistemi arsimor në Shqipëri po përballet me një krizë të fortë rënieje të numrit të nxënësve, duke reflektuar hapur pasojat e tkurrjes demografike dhe të emigracionit.

Të dhënat më të fundit nga INSTAT për vitin shkollor 2025-2026 tregojnë se numri i regjistrimeve në arsimin parauniversitar ka rënë me 1.7%, ku goditjen më të madhe e ka marrë cikli 9-vjeçar me 2.7% më pak nxënës.

Ky fenomen shqetësues nuk po prek më thjesht zonat rurale, por po kthehet në një problem kombëtar që po boshatis me shpejtësi auditorët.

Në këtë panoramë tkurrjeje, arsimi i lartë në vend po mbështetet dhe po mbahet në këmbë pothuajse tërësisht nga vajzat. Dominimi i tyre gjinor në universitete është i jashtëzakonshëm, duke përbërë 56.8% të studentëve në Bachelor dhe një shifër dërrmuese prej 67.6% në programet Master.

Nga ana tjetër, të rinjtë që zgjedhin universitetin u qëndrojnë besnikë degëve tradicionale. Grupi “Biznes, administrim dhe ligj” kryeson me 25.2% të studentëve, i ndjekur nga “Shëndet dhe mirëqenie” me 22.2% dhe profilet e inxhinierisë apo ndërtimit me 16.9%.

Kjo tregon se ekonomia jonë vazhdon të prodhojë masivisht juristë e ekonomistë. Ky ngopje me diploma teorike vjen në një kohë kur tregu i formimit teknik mbetet periferik pasi arsimin profesional e zgjedhin vetëm 19.4% e nxënësve dhe bizneset shqiptare po ngrenë çdo ditë alarmin për mungesë të theksuar të fuqisë punëtore të specializuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button