Keni gëlltitur bërthama qershie? Ja kur duhet të shqetësoheni vërtet

Ekzistojnë dy lloje njerëzish gjatë sezonit të qershive: ata që i heqin me kujdes bërthamat dhe ata që i gëlltisin pa menduar shumë, për t’u shqetësuar më pas se çfarë mund të ndodhë me organizmin e tyre.
Megjithëse interneti shpesh përhap skenarë dramatikë për helmime apo rreziqe serioze, ekspertët thonë se në shumicën e rasteve nuk ka vend për panik.
Bërthamat e qershisë përmbajnë substanca nga të cilat mund të lirohet cianid, por rreziku real shfaqet kryesisht kur ato përtypen ose konsumohen në sasi të mëdha. Kur gëlltitet e plotë, bërthama zakonisht kalon natyrshëm nëpër sistemin tretës pa u tretur dhe organizmi e eliminon vetë.
Sipas mjekëve, problemet mund të lindin në tri raste kryesore: kur konsumohen shumë bërthama njëherësh, kur ato përtypen para gëlltitjes ose kur bëhet fjalë për fëmijë të vegjël. Te këta të fundit ekziston rreziku i mbytjes apo bllokimit të zorrëve për shkak të traktit tretës më të ngushtë.
Megjithatë, një ose disa bërthama të gëlltitura rastësisht nga një person i shëndetshëm zakonisht nuk shkaktojnë pasoja serioze.
Ekspertët këshillojnë që gëlltitja e bërthamave të mos bëhet zakon, jo sepse paraqet rrezik të madh, por sepse nuk sjell asnjë përfitim për organizmin.
Ndërkohë, ndihma mjekësore duhet kërkuar nëse pas gëlltitjes shfaqen simptoma si dhimbje të forta barku, të vjella, vështirësi në frymëmarrje, fryrje të rëndë apo probleme me jashtëqitjen, veçanërisht te fëmijët.
Në shumicën e rasteve, drama për një bërthamë qershie të gëlltitur përfundon pa asnjë problem – përveç shqetësimit momental që shkakton te personi që sapo e ka kuptuar çfarë ka bërë.









