AKTUALITETTOP-NEWS

Banorët e Hoxharës ngrihen në protestë: “Mos na grabisni tokat për panelet fotovoltaike”

Fier – Banorët e zonës së Hoxharës janë mbledhur këtë të hënë në qendër të fshatit për të protestuar kundër, sipas tyre, zaptimit të tokave bujqësore nga kompani që synojnë ndërtimin e parqeve me panele fotovoltaike.

Të revoltuar, banorët shprehen se prej muajsh përfaqësues të kompanive të ndryshme kanë hyrë në tokat e zonës, kanë hapur rrugë, kanë prerë pemë dhe kanë dëmtuar kufijtë ndarës të pronave, me synimin për të ndërtuar impiante për prodhimin e energjisë diellore.

Sipas tyre, pjesa më e madhe e familjeve i zotërojnë tokat në bazë të formularëve të ndarjes së tokës bujqësore dhe dokumenteve të përfituara ndër vite. Banorët pranojnë se shumë prej tyre nuk kanë kryer procedurat e hipotekimit, pasi nuk kanë pasur asnjëherë synim për shitjen e pronës dhe e kanë konsideruar tokën si pasuri familjare të trashëguar.

Ata pretendojnë se kompani të ndryshme, përmes ndërmjetësve dhe sekserëve, po ushtrojnë presion mbi pronarët, duke i bindur ose mashtruar se do t’u zgjidhin problemet e dokumentacionit të pronësisë. Sipas protestuesve, në këto procese përfshihen edhe persona që kanë punuar më parë në ish-komunat ose në institucionet e administrimit të tokës dhe kadastrës.

Banorët theksojnë se nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga pronat e tyre dhe se do të kundërshtojnë çdo përpjekje për t’i marrë tokat pa pëlqimin e tyre. Ata kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve shtetërore për të verifikuar situatën dhe për të garantuar mbrojtjen e pronës private.

“Tokat janë prona jonë dhe nuk do t’i lëshojmë. Kërkojmë që shteti të ndalojë çdo veprim të paligjshëm dhe të largojë kompanitë që po tentojnë të zënë tokat tona për ndërtimin e paneleve fotovoltaike”, u shprehën banorët gjatë protestës.

Protestuesit paralajmëruan se, nëse shqetësimet e tyre nuk marrin përgjigje nga institucionet përgjegjëse, do të përshkallëzojnë reagimin e tyre me forma të tjera proteste në ditët në vijim./ ALB365

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button