Falsifikuan dokumente dhe tjetërsuan prona / Ekzekutohen 14 masa sigurie në Dibër

Është finalizuar me sukses operacioni policor i koduar “Tjetërsimi ”, rezultat i një hetimi 7-mujor të zhvilluar për zbardhjen e një skeme kriminale të falsifikimit të dokumenteve, me qëllim tjetërsimin e kundërligjshëm të pasurive të paluajtshme.
Ekzekutohen 14 masa sigurie, për punonjës/ish-punonjës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Dibër, dhe për disa shtetas, familjarë të njëri-tjetrit, në favor të të cilëve dyshohet se janë tjetërsuar pronat.
Shpallen në kërkim 3 shtetas.
Në vijim të veprimeve procedurale të kryera në kuadër të një hetimi 7-mujor, me metoda proaktive, të ndjekur në koordinim me Prokurorinë e Dibrës, me objektiv dokumentimin e përgjegjësisë penale të disa shtetasve të përfshirë në mënyrë të organizuar në një skemë për tjetërsimin e kundërligjshëm të pronave të paluajtshme në Dibër, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, u finalizua operacioni i koduar “Tjetërsimi”.
Në kuadër të këtij operacioni, në zbatim të vendimin të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, u ekzekutuan masat e sigurisë:
•“Arrest në burg”, për shtetasit T. D. dhe F. Ç., familjarë të njëri-tjetrit, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim;
•“Arrest në shtëpi”, për shtetasit K. Xh., Ish-specialist matjesh në terren në AshK, Dibër, dhe R. L., me detyrë Përgjegjës i Sektorit të Legalizimeve në AshK, Dibër, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim;
•“Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, për shtetasit:
-E. V., me detyrë Hartograf në AshK, Dibër;
-G. H., me detyrë Përgjegjëse e Sektorit të Legalizimeve në AShK, Dibër, Ish-juriste e këtij sektori;
-V. Gj., me detyrë Juriste në Sektorin e Shërbimeve Kadastrale në AShK, Dibër;
-Xh. H., me detyrë Hartografe në Sektorin e Legalizimeve në AShK, Dibër;
-D. D., me detyrë Hartografe në Sektorin e Shërbimeve Kadastrale në AShK, Dibër;
-F. P., me detyrë Hartografe në Sektorin e Shërbimeve Kadastrale në AShK, Dibër.
Gjithashtu, e njëjta masë u ekzekutua për shtetasen E. D. (bashkëshortja e shtetasit T. D.), për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim.
•Më tej, u shpallën në kërkim shtetasit:
-D. Gj., me detyrë Zëvendësdrejtor i AShK, Dibër, Ish-drejtor i këtij institucioni, për të cilin është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim;
-A. M., me detyrë Notere, për të cilën është caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim;
-N. U. (familjar i shtetasit T. D.), për të cilin është caktuar masa e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet dyshohet se shtetasit me detyra aktuale dhe të mëparshme në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, Dibër, dhe noterja, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumente dhe kanë kryer veprime të tjera administrative të kundërligjshme, me qëllim tjetërsimin e pronave të paluajtshme, në favor të shtetasit T. D. dhe familjarëve të tij. Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe vijon hetimi për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.











