Marjana Koçeku sulmon Ramën në mediam britanike

Marjana Koçeku, deputete e pavarur dhe ish-anëtare e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ka dhënë një intervistë për median britanike Britannia Daily, ku ka folur për arsyet e largimit të saj nga mazhoranca, protestat qytetare dhe krizën politike në Shqipëri. Në një nga deklaratat më të forta që prej shkëputjes nga PS, Koçeku shprehet se qeveria e Edi Ramës nuk është më në gjendje të sjellë ndryshimin që kërkojnë shqiptarët, ndërsa protestat i cilëson si shprehje të humbjes së besimit të qytetarëve te institucionet dhe politika.
Një nga deputetet më të reja të Kuvendit, Koçeku thotë se vendimi për t’u larguar nga Partia Socialiste erdhi pas zhgënjimit me mënyrën se si funksionon pushteti dhe me mungesën e llogaridhënies. Ajo thekson se protestat masive vetëm sa e përforcuan bindjen se Shqipëria ka nevojë për një kulturë të re politike dhe për një brez të ri drejtuesish.
Në intervistën për Britannia Daily, Koçeku shprehet se parlamenti, në shumë raste, nuk funksionon si një institucion ku debatohen dhe shqyrtohen vendimet, por si një mekanizëm që miraton automatikisht qëndrimet e partisë.
“Një nga përgjegjësitë themelore të një deputeti është të ushtrojë gjykim të pavarur në emër të qytetarëve që e kanë zgjedhur. Megjithatë, në praktikë, disiplina partiake shpesh vendoset mbi interesin publik”, deklaron ajo.
“Protestat e përforcuan vendimin tim”
Koçeku thekson se protestat nuk ishin arsyeja kryesore e largimit të saj nga Partia Socialiste, por ato e bindën edhe më shumë se kishte marrë vendimin e duhur.
“Protestat kanë qenë ndër lëvizjet qytetare më frymëzuese që kam parë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë gjatë viteve të fundit. Kur dhjetëra mijëra qytetarë dalin paqësisht për të kërkuar llogaridhënie dhe ndryshim demokratik, përfaqësuesit e zgjedhur kanë detyrimin t’i dëgjojnë.”
Sipas saj, shqetësimet e protestuesve për korrupsionin, mungesën e transparencës, mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e kostos së jetesës janë të njëjtat arsye që e shtynë të vinte në pikëpyetje drejtimin ku po shkon vendi.









