OP/ AN

Berisha: Udhëtim blic në Berlin!

Nga Sali Berisha-

Ditën e enjte u nisa për një udhëtim të shkurtër në Berlin me dy qëllime:

Së pari: Për të marrë pjesë, me ftesë të zotit Christian Freiherr von Stetten MdB, Kryetar i Qarkut Parlamentar të Ndërmarrjeve të Mesme (PKM) të grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun Gjerman, në festën e 50-të verore të PKM-së. Ky aktivitet u zhvillua po atë ditë, më 25 qershor 2026, nga ora 17:30 në Kopshtin e Kronprinzenpalais, në Berlin.

Së dyti: Për të takuar miq të mi të shquar gjermanë në Bundestag, CDU, për t’i falënderuar ata me mirënjohje të thellë për mbështetjen e tyre të çmuar ndaj meje, Partisë Demokratike dhe Shqipërisë.

Festa e 50-të e PKM-së në kopshtet e Pallatit të Princit të Kurorës zgjati disa orë dhe ishte një mjedis festiv vërtet i mrekullueshëm, që bashkonte qindra deputetë, politikanë të CDU-së dhe biznesmenë të afërt me këtë parti. Festën e përshëndeti Kancelari Friedrich Merz. Aty pata rastin të takoj, të përshëndetem dhe të bisedoj me shumë deputetë të Bundestagut, zyrtarë, gazetarë dhe biznesmenë gjermanë, ndaj dhe e falënderoj me përzemërsi kryetarin, zotin Christian Freiherr von Stetten MdB, për nderin që më bëri me ftesën e tij.

Gjatë qëndrimit tim të shkurtër jashtë festës, së bashku me nënkryetarin e Grupit Parlamentar të PD-së, Tomor Alizoti, patëm takime të veçanta në Bundestag me:

Zotin Tilman Kuban, zëdhënës për Politikën Europiane të grupit parlamentar të CDU/CSU;

Zotin Christian Kremer, kryetar i zyres për marrëdhënie ndërkombëtare të CDU-së;

Miqtë e mi të shquar të PD-së dhe të Shqipërisë: Peter Beyer, raportues i grupit të CDU/CSU për marrëdhëniet transatlantike dhe vendet e Ballkanit Perëndimor;

Olav Gutting, personalitet i rëndësishëm i grupit parlamentar CDU/CSU për Financat dhe Buxhetin;

Elmar Brok, personalitet i shquar i CDU-së, ish-Kryetar i Komisionit të Jashtëm, Sigurisë dhe të Drejtave të Njeriut për dy dekada në Parlamentin Europian;

Peter Tiede i të përditshmes gjermane Bild, gazetar i mirënjohur për qëndrimet në mbrojtje të pluralizmit politik në Rusi, Shqipëri dhe në diktaturat e tjera autokratike.

Në të gjitha këto takime shpreha mirënjohjen time të thellë ndaj miqve tanë, CDU-së dhe Bundestagut për mbështetjen e tyre ndaj Shqipërisë, Partisë Demokratike dhe opozitës në Shqipëri. Gjithashtu, i njoha bashkëbiseduesit e mi me krizën e thellë që po kalon vendi nën diktaturën autokratike të Edi Ramës, me kërkesat e drejta të rinisë shqiptare në protestën më të gjatë dhe më të fuqishme në historinë e Shqipërisë, si dhe me qëndrimin cinik të Edi Ramës dhe narkoqeverisë së tij ndaj këtyre kërkesave.

Gjatë qëndrimit tim në Berlin, takuam dhe u mikpritëm nga miku im ish deputetin dhe ish-zëvendës ministrin e Kosovës Gani Dreshaj dhe përfaqësues të tjerë të diasporës, të cilët i falënderoj shumë përzemërsisht për mikpritjen dhe lehtësitë që na krijuan gjatë qëndrimit në Gjermani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button