Nis shpërndarja e bonusit, pensionistët të pa kënaqur.

Fier – “5 mijë lekë nuk mjaftojnë”, pensionistët fierakë: Bonusi është ndihmë, por na duhen pensione më të larta çdo muaj
Pavarësisht se ka nisur shpërndarja e bonusit veror prej 5 mijë lekësh për pensionistët, shumë prej tyre shprehen se kjo është vetëm një ndihmë e përkohshme dhe nuk zgjidh vështirësitë ekonomike me të cilat përballen çdo ditë.
Në bisedat me pensionistët, ata thonë se e mirëpresin bonusin, por theksojnë se problemi kryesor mbeten pensionet e ulëta, të cilat nuk u mundësojnë të përballojnë rritjen e vazhdueshme të çmimeve.
“Pesë mijë lekë nuk janë ndonjë shumë e madhe. Është një ndihmë, por do të ishte më e drejtë që qeveria të mendonte për rritjen e pensioneve çdo muaj dhe jo vetëm për bonuse sezonale,” shprehen ata.
Sipas pensionistëve, shpenzimet për ushqimet bazë janë rritur ndjeshëm, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave shkon për blerjen e ilaçeve. Duke qenë se shumica i përkasin moshës së tretë, medikamentet janë një domosdoshmëri dhe shpesh pensioni nuk mjafton për t’i përballuar.
“Çmimet rriten çdo ditë, ndërsa pensionet mbeten të ulëta. Na duhet të zgjedhim mes ushqimit dhe ilaçeve. Qeveria duhet të mendojë më shumë për ne, sepse jetesa është bërë gjithnjë e më e vështirë,” thonë pensionistët.






Pensionistët kërkojnë që përveç bonuseve të herëpashershme, të ndërmerren politika afatgjata për rritjen e pensioneve, në mënyrë që të moshuarit të kenë mundësi të jetojnë me dinjitet dhe të përballojnë kostot gjithnjë në rritje të jetesës.









