Policia gjen bimë narkotike dhe ambiente për përpunimin e saj. ( video)

Fier – Vijojnë intensivisht kontrollet në territor dhe në ambiente të mbyllura, për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
Zbulohet në Divjakë, një ambient i përshtatur për tharjen dhe përpunimin e bimëve narkotike. Sekuestrohen 44 kilogramë bimë narkotike kanabis, në formë boçesh/në proces tharjeje.
Gjithashtu, gjatë operacionit, u konstatuan të kultivuara 1426 bimë narkotike kanabis. Një pjesë e tyre u asgjësuan në vend, ndërsa pjesa tjetër u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Si rezultat i kontrolleve intensive në territorin e qarkut Fier, nga toka dhe nga ajri, me dronë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë finalizuar operacionin e koduar “Koordinimi”.
Gjatë operacionit, në vendin e quajtur “Rezervuari i Divjakës”, në një tokë shtetërore, u gjet një ambient i përshtatur për tharjen dhe përpunimin e bimëve narkotike. Në këtë ambient u gjetën 37 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis në proces tharjeje dhe 7 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis në formë boçesh. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, me qëllim kryerjen e ekspertimit.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për 3 punonjës të Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura në qarkun Fier, shtetasit:
-Edison Toromëni 33 vjeç, me detyrë përgjegjës sektori, Festim Hoxha, 37 vjeç, me detyrë specialist menaxhimi dhe Gazmor Allka 53 vjeç, me detyrë roje.
Vijon puna, në drejtimin e Prokurorisë së Fierit, për identifikimim dhe kapjen e autorit/ëve të kultivimit të bimëve narkotike.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier vijon kontrollet intensive nga ajri, me dronë, dhe nga toka, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.
Policia e Shtetit inkurajon qytetarët që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në njësitë e Policisë ose në numrin pa pagesë 112.










