Nga “ferri” në “parajsë”, Argjentina përmbysje spektakolare për 13 minuta ndaj Egjiptit

Argjentina është bërë ekipi i parafundit që siguron një vend në çerekfinalet e turneut, pasi përmbysi me rezultatin 3-2 Egjiptin në sfidën spektakolare të zhvilluar në “Mercedes-Benz Stadium” në Atlanta.
Egjiptianët kaluan të parët në avantazh në minutën e 15-të, kur Yasser Ibrahim realizoi me kokë pas një krosimi të Marwan Attia. Vetëm tre minuta më vonë, Argjentina pati mundësinë ideale për të barazuar, por Lionel Messi shpërdoroi një penallti, me portierin Mostafa Shobeir që priti në mënyrë fantastike. Gardiani egjiptian u bë sërish protagonist në fundin e pjesës së parë, duke ndalur edhe një goditje të rrezikshme të Julian Alvarez.
Në fraksionin e dytë, Egjipti mendoi se kishte dyfishuar epërsinë në minutën e 58-të, por goli i Mostafa Zikos u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it për një faull në ndërtimin e aksionit. Megjithatë, Ziko nuk gaboi në minutën e 68-të, kur finalizoi një kundërsulm të shpejtë pas asistit të Haissem Hassan për rezultatin 2-0.
Kur gjithçka dukej e mbyllur, Argjentina reagoi fuqishëm. Cristian “Cuti” Romero ngushtoi diferencën me një goditje me kokë në minutën e 79-të pas krosimit të Messit, ndërsa katër minuta më vonë kapiteni argjentinas barazoi me një goditje të saktë me të majtën.
Në kohën shtesë, Lautaro Martinez shërbeu një krosim perfekt për Enzo Fernandez, i cili shënoi golin e fitores me kokë. Pavarësisht protestave të Egjiptit për një faull në nisje të aksionit, arbitri e konfirmoi golin. Me këtë sukses, Argjentina avancon në çerekfinale, ku do të përballet me fituesin e duelit mes Zvicrës dhe Kolumbisë.









