Digjet një automjet pranë nënstacionit elektrik në Lushnje, shmanget një rrezik i madh

Lushnje – Një automjet është përfshirë nga flakët pranë murit të nënstacionit elektrik në lagjen “Çlirimi” të qytetit të Lushnjes, duke shkaktuar alarm te banorët e zonës.
Në vendngjarje mbërritën me urgjencë forcat zjarrfikëse, të cilat arritën të vinin nën kontroll flakët që kishin përfshirë kabinën e mjetit. Automjeti u dogj plotësisht, por ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve bëri të mundur parandalimin e përhapjes së zjarrit drejt nënstacionit elektrik dhe banesave që ndodhen pranë tij.
Policia dhe ekspertët e Policisë Shkencore, në bashkëpunim me shërbimin zjarrfikës, kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e zjarrit. Zona ku ndodhi ngjarja konsiderohet me rrezikshmëri të lartë për shkak të afërsisë me nënstacionin elektrik dhe banesat përreth.
Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.









