Shtohen akuzat ndaj Belinda Ballukut, pritet t’i komunikohen edhe për 3 lotet e Unazës së Madhe

Këtë të premte, Prokuroria e Posaçme (SPAK) pritet t’i komunikojë ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku zgjerimin e hetimeve, si edhe akuza të reja që lidhen me lotet 5, 6 dhe 7 të Unazës së Madhe. Më herët, Balluku ishte marrë e pandehur vetëm për dosjen e Tunelit të Llogarasë dhe Lotin 4 të Unazës së Madhe.
Ndërkohë, GJKKO ka vendosur zgjatjen e afatit të hetimeve edhe me tre muaj. Mësohet se Belinda Balluku mund të mos paraqitet personalisht për komunikimin e akuzave, por të përfaqësohet nga avokati i saj, Ardian Kalia. Akuza për të njëjtat vepra penale u është komunikuar edhe Evis Berbertit dhe Miranda Shkurtes.
Gjithashtu sot do i komunikohet edhe zgjatja me 3 muaj e hetimeve. Kujtojmë që një ditë më parë, kreu i SPAK, Klodian Braho u tha gazetarëve se çështja e Belinda Ballukut është me prioritet dhe se hetimet ndaj saj vijojnë.
Një tjetër protestë është zhvilluar ditën e sotme përpara SPAK nga të rinjtë e ‘revolucionit flamingo’, të cilët kërkojnë që Prokuroria e Posaçme të veprojë pa u vonuar dhe të arrestojë ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, si dhe të hetojë kryeministrin Edi Rama.
Me pankarta në duar, si ‘Bela, vasalja e mbretit, tregoji SPAK-ut vjedhjen e buxhetit’, apo ‘2 dele 300 apartamente’, ‘Ku janë paret tona’, ‘Pa drejtësi nuk ka të ardhme’, të rinjtë vijojnë për të disatën ditë të protestojnë.
Kujtojmë se pasditen e sotme pritet të zhvillohet protesta e 62 radhazi përpara Kryeministrisë ku kërkohet dorëheqja e Edi Ramës.









