Zjarri riaktivizohet në Çërrilë të Mallakastrës, ndërhyhet edhe nga ajri

Mallakastër – Pasditen e sotme është riaktivizuar vatra e zjarrit në Çërrilë të Mallakastrës. Flakët po përhapen me shpejtësi në një sipërfaqe të konsiderueshme të pyllit me pisha, duke alarmuar banorët e zonës.
Për neutralizimin e flakëve po punojnë katër mjete zjarrfikëse, 30 forca të Forcave të Armatosura dhe 20 forca bashkiake. Terreni i thyer po e vështirëson ndjeshëm ndërhyrjen e forcave në terren dhe përpjekjet për vënien nën kontroll të zjarrit.
Pas kërkesës për ndërhyrje nga ajri, në zonë ka mbërritur edhe një helikopter, i cili pritet të nisë operacionin për shuarjen e flakëve.
Fatmirësisht, zjarri ndodhet larg zonave të banuara, ndërsa forcat në terren vijojnë përpjekjet për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të tij.







