Zbardhen disa raste të vjedhjes së banesave.

Fier – Pas një pune intensive hetimore, finalizohet me sukses operacioni policor “Shëtitësit”.
Vihen në pranga 3 shtetas të dyshuar si autorë për disa vjedhje banesash.
Këta shtetas dyshohen dhe për disa vjedhje të tjera në qarkun Fier e Gjirokastër.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në kuadër të punës për parandalimin dhe zbardhjen e rasteve të vjedhjeve, kanë vijuar veprimet hetimore për dokumentimin e disa rasteve të vjedhjeve të ndodhura në territorin e Patosit.
Në kuadër të këtij operacioni, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga shtetasit:
- Fation Gjojdeshi, 43 vjeç, banues në Gjirokastër;
- Dorian Alikaj, 31 vjeç, banues në Gjirokastër;
- Ismail Isomati 41 vjeç, banues në Tepelenë.
Këta shtetas u kapën në flagrancë në qendër të Patosit, duke lëvizur me një automjet. Gjatë kontrollit fizik, njërit prej tyre, shtetasit F. Gj., iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde narkotike cannabis sativa.
Në vijim, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit D. A., iu gjet dhe iu sekuestrua një tjetër sasi lënde narkotike cannabis sativa.
Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se këta shtetas, në datat 05 dhe 06 gusht, në lagjen “1 Maji” dhe në fshatin Dukas, Patos, kanë vjedhur në dy banesa, ku kanë marrë bizhuteri floriri, 3500 euro, si dhe dy aparate celularë.
Po nga hetimet rezulton se këta shtetas, më datë 9 shtator, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar të vjedhin në dy banesa në fshatin Zharrëz, Patos.
Në bashkëpunim me DVP Gjirokastër dhe nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, si dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve ku ata mund të jenë të përfshirë në qarkun Fier dhe Gjirokastër.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vjedhja”, si dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.










