AKTUALITETTOP-NEWS

Prodhim i mbarë i ullirit, fermerët përballen me çmimet e ulëta. Prodhuesit synojnë krijimin e një marke të çertifikuar për tregun ndërkombëtar

Mallakastër – Fushata e vjeljes së ullirit në zonën e Mallakastrës ka nisur me pritshmëri pozitive, pasi këtë vit prodhimi paraqitet i mbarë dhe rendimenti është më i kënaqshëm. Fermerët dhe pronarët e fabrikave të përpunimit konfirmojnë se sasia e ullirit është e konsiderueshme, ndërsa në disa fabrika procesi i përpunimit dhe nxjerrjes së vajit ka nisur më herët se vitet e kaluara.

Megjithatë, krahas kënaqësisë për prodhimin e bollshëm, fermerët shprehin shqetësimin për çmimin e ulët me të cilin po shitet vaji i ullirit. Aktualisht, një litër vaj tregtohet me 600 deri në 650 lekë të reja, një vlerë që sipas tyre nuk është në raport të drejtë me kostot e prodhimit dhe investimet e kryera gjatë gjithë vitit për mirëmbajtjen e ullishtave.

Fermerët tregojnë se kultivimi i ullirit kërkon shpenzime të vazhdueshme, duke nisur nga krasitja, punimi i tokës, trajtimet me preparate bujqësore, plehrat kimike dhe deri te vjelja e transporti i prodhimit drejt fabrikave. Në këto kushte, çmimi aktual i shitjes konsiderohet i pamjaftueshëm për të siguruar të ardhura të kënaqshme dhe për të mbuluar investimin e tyre.

Një tjetër problematikë që ngrejnë prodhuesit është mungesa e një tregu të organizuar për shitjen e vajit të ullirit. Sipas tyre, mungojnë pikat e grumbullimit dhe mekanizmat që do të mundësonin daljen e drejtpërdrejtë të produktit në treg, duke i lënë fermerët të përballen individualisht me vështirësitë e shitjes.

Ata kërkojnë më shumë mbështetje nga institucionet shtetërore, veçanërisht përmes subvencioneve për inputet bujqësore, si plehrat kimike dhe pesticidet, çmimet e të cilave janë rritur ndjeshëm. Fermerët ngrenë gjithashtu shqetësimin për cilësinë dhe afatet e përdorimit të disa prej produkteve që tregtohen në tregun bujqësor.

Sipas tyre, një mbështetje më e madhe financiare dhe krijimi i mundësive konkrete për tregtimin e vajit do të ndihmonin jo vetëm në rritjen e të ardhurave të fermerëve, por edhe në zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të ullishtarisë në këtë zonë.

Nga ana tjetër, pronarët e fabrikave të përpunimit dhe prodhuesit e vajit të ullirit e shohin situatën edhe në një këndvështrim më të gjerë, duke vënë theksin te konkurrenca në treg dhe ndikimi i produkteve të importuara. Sipas tyre, prania e vajit të importuar dhe konkurrenca me produktin vendas ushtrojnë presion mbi çmimet, duke bërë që vaji shqiptar të mos marrë gjithmonë vlerën që meriton.

Për këtë arsye, një prej synimeve kryesore të prodhuesve të Mallakastrës është krijimi i një marke të përbashkët për vajin e ullirit të kësaj zone, e cila të shoqërohet me certifikimin e origjinës dhe të cilësisë së produktit.

Ata vlerësojnë se një markë e identifikueshme do t’i jepte vajit të Mallakastrës një identitet të veçantë, duke e dalluar nga produktet e tjera që qarkullojnë në treg. Certifikimi do të shërbente si garanci për konsumatorët mbi origjinën dhe standardet e prodhimit, ndërsa do të krijonte mundësi më të mira për promovimin dhe eksportimin e tij në tregjet ndërkombëtare.

Prodhuesit theksojnë se vaji i ullirit i kësaj zone ka potencial për të konkurruar edhe jashtë vendit, por për këtë nevojitet një organizim më i mirë i fermerëve, bashkëpunim mes fabrikave të përpunimit dhe, mbi të gjitha, mbështetja e institucioneve përkatëse. Krijimi i një marke të certifikuar do të kërkonte plotësimin e standardeve të përcaktuara të prodhimit, kontrollit të cilësisë, gjurmueshmërisë dhe paketimit.

Mallakastra është një nga zonat me traditë në kultivimin e ullirit në jug të vendit. Në këtë territor numërohen mbi 2 milionë rrënjë ullinj të mbjella dhe në prodhim, duke përbërë një burim të rëndësishëm ekonomik për shumë familje dhe një sektor me potencial të konsiderueshëm zhvillimi.

Kështu, ndërsa këtë vit fermerët kanë arsye të jenë të kënaqur me prodhimin, sfida kryesore mbetet sigurimi i një tregu të qëndrueshëm dhe i një çmimi që justifikon mundin dhe investimin e tyre. Synimi për krijimin e markës së certifikuar të vajit të ullirit të Mallakastrës shihet si një hap i rëndësishëm për t’i dhënë më shumë vlerë këtij produkti tradicional dhe për ta çuar atë përtej tregut vendas, drejt tregjeve ndërkombëtare./ALB365/Xhemil Beharaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button