AKTUALITETTOP-NEWS

Kolonel Demiraj/ Rama drejt largimit, po negocion post ndërkombëtar, pas përgjimeve të Ahmetaj qëndron …

Zbardhja e përgjimeve të reja të lidhura me ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj ka nxitur diskutime të shumta mbi prapaskenat e tyre dhe ndikimin në stabilitetin politik të qeverisë shqiptare. Në një analizë të detajuar në “NTV Television”, kolonel Dritan Demiraj deklaroi se këto materiale konfirmojnë denoncimet 13-vjeçare për korrupsion, vjedhje dhe trafiqe brenda pushtetit. “ Ato zbulojnë atë që kemi 13 vjet që e themi, që nga momenti që ka ardhur në krye të Shqipërisë kryetari i sektit të ndyrë të Rilindjes, Rama. Ka vetëm korrupsion, trafik, vjedhje; çdo gjë që kemi denoncuar, të gjitha kanë dalë, pra janë vërtetuar.

Përgjimet e dyta, të cilat flasin për biznesmenin problematik apo trafikantin, apo shtetasin shqiptaro-izraelit Roni Yeffet, vërtetojnë atë që u deklarua edhe gjatë përgjimeve të para, ku këtij personi me probleme të jashtëzakonshme ligjore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në raport me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, siç e ka akuzuar edhe opozita, trafikantit Roni Yeffet i është dhënë siguria kombëtare e Shqipërisë, i është dhënë Ministria e Mbrojtjes nëpërmjet aferave korruptive”, tha ai ndër të tjera. Demiraj pretendon se prej shtatë vitesh ka denoncuar faktin se pas shumë investimeve që reklamohen me “flamur amerikan”, në të vërtetë fshihen pronarë rusë, kinezë apo ukrainas me lidhje të drejtpërdrejta me kryeministrin Edi Rama. 

Skenari

Lidhur me pyetjen se kush qëndron pas rrjedhjes së këtyre përgjimeve, kolonel Demiraj hodhi poshtë idenë se ato janë produkte vetjake të Arben Ahmetajt. Sipas tij, këto materiale po u vihen në dispozicion personave të caktuar nga shërbime inteligjence, me qëllim diskreditimin ndërkombëtar të bashkëpunëtorëve të lidhur me aferat kriminale. Ai deklaroi se kryeministri Rama është në dijeni të këtyre sinjaleve dhe po tenton të realizojë një “zbritje të butë” (soft landing)  “Është e padiskutueshme. Edi Rama është drejt largimit, i ka marrë sinjalet, është drejt një negocimi, po tenton të largohet nga drejtimi i sektit të Rilindjes duke kërkuar të drejtojë një institucion ndërkombëtar. Pra, është në negociata për të marrë një pozicion drejtues në një organizatë ndërkombëtare, në mënyrë që të bëjë një zbritje të butë (soft landing), siç quhet në teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare. Këto nuk janë përgjime që i realizon Arben Ahmetaj.

Këto janë shërbime të cilat u jepen personave të caktuar për të vazhduar diskreditimin ndërkombëtar të bashkëpunëtorëve kriminelë që bashkëpunojnë me Ramën dhe për t’i treguar popullit shqiptar që drejtohet nga një sekt antishqiptar, i cili nuk ka asnjë interes për rritjen e mirëqenies së popullit shqiptar, por për shfrytëzimin e pasurive dhe vjedhjen e pasurive të shqiptarëve vetëm me një qëllim: vazhdimin e qëndrimit në pushtet. Dhe ajo çka mund të them është vazhdimi i mosbindjes civile me mjete demokratike, vazhdimi dhe intensifikimi i protestave”, tha ai. 

Ç’pritet të ndodhë?

Demiraj paralajmëroi gjithashtu se gjatë javëve në vijim do të publikohen përgjime të tjera akoma më të rënda, të cilat përfshijnë korrupsionin, trafiqet e armëve dhe të drogës. Sipas deklaratave të Demirajt, edhe biznesmenët më të fuqishëm në Shqipëri e pranojnë në konfidencë se kryeministri ndodhet në vështirësi të mëdha dhe se duhet të largohet. Megjithatë, ai vuri në dukje se shumë prej tyre nuk guxojnë të dalin hapur për shkak të presionit, duke përmendur rastin e një sipërmarrësi që mori paralajmërime pasi financoi në mënyrë modeste protestat. “Unë jam në kontakt me një pjesë shumë të madhe të biznesmenëve më të fuqishëm që ka Shqipëria dhe më lejo të të siguroj që edhe kur bisedojmë e flasim… vazhdimisht me ta për çështje të ndryshme, pasi janë të interesuar se çfarë po ndodh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe si vazhdon linja e diasporës shqiptaro-amerikane me institucionet amerikane, unë u kam thënë vazhdimisht se ju jeni përgjegjës — dhe ata e pranojnë edhe vetë se sot janë përgjegjës për situatën në të cilën ndodhet Shqipëria, pasi kanë përfituar një pjesë të madhe të pasurive.

Por edhe ata deklarojnë se Rama është në hall të madh dhe bien dakord se ai duhet të largohet, për shkak se një pjesë e madhe e tyre nuk guxon t’i dalë kundër. Edhe në rastin e një biznesmeni që financoi në mënyrë modeste një pjesë të protestave, mori paralajmërimin e fundit. Tashmë të gjithë janë gati sepse e dinë që kreu i sektit të Rilindjes është drejt largimit, kryeministri Rama është drejt dorëzimit të pushtetit. Pavarësisht se ju mendoni të kundërtën, ajo që ngelet për t’i dhënë goditjen e fundit janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe protestat, duke… angazhuar shoqërinë civile dhe studentët dhe të gjithë së bashku për ta larguar, në mënyrë që të gjithë ata të cilëve do t’u jepet përgjegjësia për të drejtuar kombin shqiptar duhet t’i vënë gishtin kokës që ta kuptojnë se do të përballen me drejtësinë, por edhe me urrejtjen dhe me revoltën popullore, për shkak se Shqipëria ka nevojë për një politikë të re, e cila së pari duhet të mendojë për interesin e popullit”, tha ai ndër të tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button