Nafta shtrenjton punimin e tokës, fermerët e Rroskovecit braktisin kulturat e stinës, tokat i kthejnë ullishte.

Rroskovec – Rritja e kostos së naftës, punimit të tokës dhe inputeve bujqësore po i detyron fermerët e zonës së Roskovecit të ndryshojnë mënyrën se si e shfrytëzojnë tokën bujqësore.
Një pjesë e fermerëve thonë se kanë reduktuar ndjeshëm mbjelljen e kulturave të stinës, ndërsa disa pronarë tokash kanë zgjedhur t’i lënë sipërfaqet djerrë. Të tjerë po orientohen gjithnjë e më shumë drejt mbjelljes së pemëve frutore dhe ullinjve, duke i konsideruar këto kultura si një alternativë me më pak kosto në periudhë afatgjatë dhe me mundësi për të ardhura më të qëndrueshme.
Sipas fermerëve, një nga problemet kryesore është kostoja e punimit të tokës. Ata shpjegojnë se më parë për një dynym tokë, për punimin, plugimin dhe frezimin, shpenzoheshin rreth 13-15 mijë lekë, ndërsa sot kostot janë rritur më tej për shkak të çmimit të karburantit dhe shërbimeve bujqësore.
Rritja e kostove nuk ndalet vetëm te nafta. Fermerët përmendin edhe çmimet e pesticideve dhe të produkteve të tjera që nevojiten për kultivimin e kulturave bujqësore.






“Punojmë më shumë, shpenzojmë më shumë, por në fund nuk jemi të sigurt nëse do ta shesim prodhimin”, shprehen fermerët, duke e konsideruar tregun një tjetër problem të madh për bujqësinë.
Kur të gjithë mbjellin të njëjtën kulturë, tregu bie
Për fermerët e Roskovecit, problemi nuk lidhet vetëm me kostot e prodhimit. Sipas tyre, mungon edhe një orientim i qartë se cilat kultura duhet të mbillen dhe në çfarë sasie.
Ata sjellin si shembull rastet kur një kulturë bujqësore sjell fitime të mira në një sezon. Në vitin pasardhës, sipas tyre, shumë fermerë orientohen drejt së njëjtës kulturë, duke krijuar mbiprodhim dhe duke ulur çmimin në treg.
“Një vit del mirë bostani dhe fitojnë disa fermerë. Vitin tjetër mbillet bostan nga të gjithë. Pastaj prodhimi është i madh, çmimi bie dhe fermeri mbetet me prodhimin në dorë”, thonë fermerët.
E njëjta situatë, sipas tyre, përsëritet edhe me kultura të tjera bujqësore.






Fermerët kërkojnë orientim dhe politika më të qarta
Fermerët e zonës kërkojnë që institucionet shtetërore të kenë një rol më aktiv në orientimin e prodhimit bujqësor.
Sipas tyre, nevojiten politika që t’u tregojnë fermerëve se çfarë të mbjellin, sa sipërfaqe të mbjellin dhe si të organizojnë prodhimin, në mënyrë që të shmanget mbiprodhimi dhe rënia e çmimeve.
Ata thonë se pa një orientim të tillë, fermeri shpesh merr vendime individuale duke u bazuar te fitimi i një viti më parë, por kjo mund të sjellë dështim në sezonin pasardhës.
Në këto kushte, toka bujqësore e Roskovecit po përballet me një ndryshim të dukshëm: nga kulturat e stinës drejt ullishteve dhe pemëtarisë, ndërsa një pjesë tjetër e tokave rrezikon të mbetet e papunuar.
Për fermerët, sfida tashmë nuk është vetëm të prodhojnë, por të prodhojnë atë që tregu mund të përballojë dhe me një kosto që u garanton fitim./ALB365/Xhemil Beharaj










