“Patosi nuk dorëzohet: 36 intelektualë i shkruajnë Kuvendit kundër shkrirjes me Fierin, ‘Bashkia të mbetet më vete’”

Patos – Reforma Administrativo- Territoriale përballë një tjetër kundërshtimi. Aktorë, avokatë, shkrimtarë, artistë, ish-deputetë, ish-kryetarë bashkish dhe figura të shoqërisë civile i janë drejtuar Kuvendit me një kërkesë të qartë për të ardhmen e Patosit.
Në një letër drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, 36 intelektualë dhe personalitete të njohura shprehin qëndrimin e tyre kundër ndryshimit të statusit të Bashkisë Patos dhe kërkojnë që ajo të vijojë të funksionojë si njësi e veçantë e vetëqeverisjes vendore.
Nisma vjen në një moment kur reforma e re administrativo-territoriale parashikon ndryshime në hartën e pushtetit vendor. Sipas draftit të bërë publik, Patosi është një nga bashkitë që propozohet të shkrihet dhe t’i bashkohet Bashkisë Fier.
Në letrën e tyre, firmëtarët kërkojnë që çdo vendimmarrje për Patosin të mos bëhet thjesht mbi bazën e një skeme administrative, por pas një analize të plotë dhe të verifikueshme të realitetit të kësaj bashkie.
Ata kërkojnë që të vlerësohen funksionaliteti i Bashkisë Patos, kapaciteti administrativ dhe financiar, struktura ekonomike, karakteristikat demografike, veçoritë gjeografike, aksesi i qytetarëve në shërbime, historia administrative, identiteti shoqëror dhe kulturor, si dhe ndikimi që ka industria e naftës dhe gazit në territor.
Një tjetër pikë e rëndësishme e parashtresës është kërkesa për të analizuar kostot dhe përfitimet që do të sillte një bashkim i mundshëm me Fierin, si dhe alternativat e tjera përpara se të merret një vendim përfundimtar.
“Patosi të ruhet si njësi e veçantë”
Qëndrimi i shprehur në letër është i prerë: Bashkia Patos duhet të ruhet si njësi e veçantë e vetëqeverisjes vendore.
Kjo kërkesë i bashkohet edhe reagimeve të shprehura më herët nga qytetarët dhe përfaqësuesit vendorë të Patosit. Gjatë dëgjesës publike të zhvilluar më 9 shtator, qytetarë, këshilltarë bashkiakë dhe grupe interesi kundërshtuan bashkimin me Fierin, ndërsa argumentet e paraqitura nga drejtuesit vendorë lidhen me funksionalitetin financiar, ekonominë, aksesin në shërbime dhe kohezionin e territorit.
Përfaqësuesit e komunitetit kanë argumentuar se Patosi nuk mund të trajtohet vetëm si njësi administrative në një hartë, por duhet të konsiderohet edhe në raport me historinë, identitetin, ekonominë dhe veçoritë e tij sociale.
Në këtë kuadër, 36 firmëtarët kërkojnë që zëri i komunitetit të merret në konsideratë përpara çdo vendimi përfundimtar.
Një debat që tashmë ka dalë përtej kufijve të Patosit
Çështja e Patosit tashmë është kthyer në një nga debatet e reformës së re territoriale. Drafti i publikuar parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46 dhe përfshin Patosin ndër njësitë që propozohet të shkrihen.
Në këtë situatë, letra e 36 intelektualëve e zhvendos debatin edhe në një tjetër nivel: a duhet të vendoset për fatin administrativ të një territori vetëm mbi bazën e numrave dhe kapaciteteve administrative, apo duhet të peshojnë njëkohësisht edhe historia, identiteti, ekonomia lokale dhe aksesi i qytetarëve në shërbime?
Për firmëtarët, përgjigjja është e qartë: para çdo ndryshimi duhet të ketë një analizë të plotë, transparente dhe të verifikueshme.
Në fund të parashtresës së tyre, ata përcjellin qëndrimin se Patosi duhet të vijojë të jetë njësi e veçantë e vetëqeverisjes vendore, duke kërkuar që ky pozicion të merret në konsideratë në procesin parlamentar të Reformës Administrativo-Territoriale.
Lista e firmëtarëve
Av. Idajet Beqiri
Mevlan Shanaj – regjisor, producent, Artist i Popullit
Petro Koçi – politikan, ish-deputet
Kiço Londo – regjisor, producent
Baftjar Zeqaj – ish-kryetar i Bashkisë Patos dhe Fier, ish-deputet
Rauf Troka – ish-Prefekt i Qarkut Fier
Myzelejen Hoxha – shkrimtar, ish-kryetar i Bashkisë Patos
Zhani Ciko – Mjeshtër i Madh, kompozitor, dirigjent
Bujar Alimani – regjisor, producent
Prof. Fatmir Shehu
Ing. Tajar Hysi
Ing. Vllashi Fili
Aleksandër Bojaxhi – Mjeshtër i Madh, Kryetar i Shoqatës së Alpinistëve të Shqipërisë
Tasim Alia – shkrimtar
Ing. Spiro Çobo
Leonidha Druga – fizikan
Ing. Ilia Muzina
Av. Artan Hajdari
Ing. Murat Alia – shkrimtar
Ing. Kleanti Dushi – shkrimtar
Musa Goxhaj – Kryetar i Shoqatës “Naftëtari”
Ing. Novrus Toska
Bashkim Velçani – Kryetar i Shoqatës së Pensionistëve
Ing. Artan Velçani
Pëllumb Bënça – Kryetar i Shoqatës “Labëria”, Dega Patos
Harun Nazëraj – Kryetar i OVP të LANÇ-it Patos
Novruz Toska – Kryetar i Shoqatës së Dëshmorëve të Atdheut, Patos
Bujar Muçaj – shkrimtar, Kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore Mallakastra, Dega Patos
Ing. Kozma Sako
Luftar Paja – Artist i Popullit
Gazmend Paja – aktor
Hasan Bregu – aktor
Bilbil Mema – gjeneral
Ing. Luçi Pleqi
Fatmir Goxhaj – ish-futbollist i “Punëtori” Patos
Av. Armond Beta










