AKTUALITETTOP-NEWS

Dy operacione në Fier: armë automatike në banesë dhe “Benz”-i i kërkuar nga Interpol Manchester

Fier – Dy operacione të finalizuara nga strukturat e Policisë së Fierit kanë çuar në sekuestrimin e një arme zjarri automatike, municionit luftarak dhe një automjeti luksoz, ndërsa një 66-vjeçar është arrestuar dhe një 26-vjeçar po procedohet penalisht.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të kontrolleve të intensifikuara për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, kanë finalizuar operacionin e koduar “No Guns 5”.

Operacioni është bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative për një shtetas që dyshohej se posedonte armë zjarri në banesë.

Gjatë ndërhyrjes, Policia kapi në flagrancë dhe arrestoi shtetasin Rexhep Mehmeti, 66 vjeç, banues në Fier.

Në kontrollin e ushtruar në banesën e tij, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip automatik dhe një krehër me 29 fishekë, të cilat dyshohet se mbaheshin pa lejen përkatëse.
“Benz”-i luksoz, në kërkim nga Interpol Manchester

Në një tjetër operacion, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në DVP Fier ka kryer verifikime mbi automjetet luksoze, me fokus edhe te burimi i të ardhurave dhe origjina e tyre.
Gjatë kontrollit dhe verifikimit të një automjeti tip “Benz”, të prodhimit të viteve të fundit, rezultoi se mjeti ishte shpallur në kërkim nga Interpol Manchester.

Për këtë rast, Policia ka proceduar në gjendje të lirë shtetasin E. D., 26 vjeç, banues në Mallakastër, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Policia e Fierit deklaron se operacionet do të vijojnë për goditjen e veprimtarive kriminale, evidentimin e rasteve të armëmbajtjes pa leje dhe trafikimit të mjeteve motorike.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button