AKTUALITET

Studentët nuk tërhiqen, shoqërohen disa të rinj. Policia përdor ujë dhe gaz lotsjellës

Studentët nga të gjitha Universitetet e Tiranës, ndodhen këtë të mërkurë përballë Ministrisë së Arsimit, me skenarin si ditën e parë të protestës. Ata kanë bllokuar kalimin në ”Rrugën e Durrësit” duke protestuar, shkulur kangjellat dhe më pas i kanë vendosur si barriera në rrugë. Më parë studentët hodhën gurë brenda godinës së Ministrisë së Arsimit. Disa protestues dogjën edhe koshat e plehrave të vendosur në rrugë. Kjo solli edhe ndërhyrjen e Policisë së Shtetit me ujë dhe gaz lotsjellës, ku pati disa të rinj të shoqëruar. Autobotet e ujit u afruan për të shuar flakët.

Policia e Shtetit u bën thirrje pjesëmarrësve në tubim të ruajnë qetësinë dhe të distancohen nga aktet e dhunës. “Të shmangin çdo akt dhune dhe të distancohen nga personat e maskuar që po sulmojnë punonjësit e Policisë dhe po dëmtojnë pronën publike e private. E drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë, por dhuna ndaj punonjësve të Policisë, qytetarëve dhe institucioneve është e papranueshme dhe e dënueshme me ligj”, tha policia. Në njoftimin e publikuar ndërkohë që po protestohet në Rrugën e Durrësit, policia thotë se dhuna nuk do të tolerohet.

Tensionet nisën rreth orës 12:00, por vetëm pas gjysmë ore, policia pati një ndërhyje duke shoqëruar disa persona. Por më pas u tërhoq. Një autoboot me ujë po shuan flakët në rrugë. Protesta ishte paralajmëruar të niste në orën 14:00, por që në mëngjes studentët bojkotuan mësimin në disa fakultete, përfshirë Drejtësinë, Mjekësinë, Ekonomikun dhe Politeknikun. Një grup studentësh të Mjekësisë marshuan drejt Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ku u bënë thirrje të rinjve t’i bashkoheshin protestës. Studentë të këtij fakulteti lanë auditorët dhe iu bashkuan marshimit. Edhe nxënës të gjimnazit “Partizani” bojkotuan mësimin dhe dogjën kosha mbeturinash në mes të Rrugës së Dibrës, duke bllokuar qarkullimin.

Edhe nxënësit e gjimnazit “Partizani” i janë bashkuar bojkotit. Ata kanë ndërprerë mësimin dhe kanë bllokuar rrugën përpara shkollës së tyre, në shenjë proteste. Tek ”Rruga e Durrësit”, disa biznese kanë ulur qepenat dhe kanë mbyllur dyqanet, si një masë ndaj revoltës, pasi ditën e martë në këtë zonë u shkatërruan disa biznese.

Policia e Tiranës njoftoi se ka arrestuar 16 persona dhe ka proceduar penalisht 49 të tjerë për shkak se ushtruan dhunë ndaj punonjësve të Policisë, dëmtuan institucione shtetërore dhe subjekte private, si dhe shkatërruan bankomate, kamera dhe rrethime metalike gjatë tubimit të së martës.

Momente nga shoqërimi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button