Protesta, Luiz Ejlli ka disa fjalë kundër qeverisë dhe Policisë

Këngëtari Luiz Ejlli ka reaguar me një mesazh për drejtësinë dhe dhunën ndaj të rinjve, në një kohë kur protesta studentore u shoqërua me përplasje me Policinë e Shtetit. “Një shtet matet nga mënyra se si i trajton njerëzit kur ata nuk pajtohen me të”, shkruan Ejlli, duke vënë theksin te e drejta e qytetarëve për të kërkuar drejtësi pa pasur frikë. Mesazhin e tij, këngëtari e mbyll me një lutje për të lënduarit dhe për të gjithë ata që po përjetojnë dhimbje, duke theksuar se vuajtja e tyre nuk duhet të harrohet.
Postimi i plotë
Një shtet matet nga mënyra se si i trajton njerëzit kur ata nuk pajtohen me të. Populli nuk duhet të ketë frikë nga ata që paguhen për ta mbrojtur.
Mos e matni dhimbjen e një populli me numrin e njerëzve në shesh, por mateni me numrin e atyre që janë larguar, me ëndrrat që janë shuar dhe me lotët që derdhen në heshtje, larg kamerave.
Nuk ka britmë më të dhimbshme se sa ajo e një studenti që kërkon drejtësi dhe përfundon duke kërkuar mëshirë.
I lutem Zotit që ti japi forcë atyre që sot po qajnë, ti shërohen plagët atyre që janë lënduar dhe të mos lejojë që dhimbja e tyre të harrohet nesër.









