Eksperti: Ndryshimi i orës dëmton shëndetin,

Seria jonë “Këndvështrimi i ekspertit” ju sjell këshilla të specializuara shëndetësore nga profesionistë. Në këtë artikull, flasim me Dr. Jeffrey Kelu, ekspert i ritmeve cirkadiane dhe pedagog të asociuar të biologjisë qelizore dhe molekulare në University College Dublin. Ai shpjegon bazën shkencore se përse ndryshimi i orës dy herë në vit ndikon negativisht në shëndetin dhe mirëqenien tonë, si dhe çfarë mund të bëjmë për ta ndihmuar trupin të përshtatet me ndryshimin e orës për kursimin e dritës së ditës.
Errësira tashmë po bie që në orën 16:30, duke sjellë një errësirë të papritur dimërore, e cila lehtësohet disi nga ora shtesë e gjumit, por jo nga qentë që lehin për t’u ushqyer në orarin e gabuar.
Me përfundimin e orës verore, shkencëtarët po diskutojnë sërish ndikimin më të gjerë të kthimit të akrepave të orës një orë pas. Gjithnjë e më shumë prova tregojnë se kjo ka pasoja afatgjata për shëndetin tonë, duke ndikuar në gjithçka, nga humori dhe aftësitë njohëse, deri te metabolizmi e madje edhe jetëgjatësia.
“Të gjithë themi se është vetëm një orë, por ne vërtet i ndiejmë pasojat“, thotë Dr. Jeffrey Kelu, pedagog i asociuar i biologjisë qelizore dhe molekulare në University College Dublin, i cili është gjithashtu ekspert i ritmeve cirkadiane. Këto janë ciklet natyrore të ndryshimeve fizike dhe mendore që trupi përjeton gjatë një periudhe 24-orëshe.
Në vjeshtë, akrepat e orës do të kthehen një orë pas, duke na dhënë për një periudhë të shkurtër një orë shtesë me dritë natyrale.
“Aktualisht, çdo vit, ju e vini në provë orën tuaj biologjike dy herë. Gjëja më e mirë do të ishte të ruanim një ritëm të qëndrueshëm”, shton Dr. Kelu, për të shmangur çrregullimin e ciklit të shëndetshëm të zgjimit dhe gjumit të trupit.
Sipas tij, disa organizata kërkimore kanë vlerësuar se ndryshimi i orës i kushton qeverisë 3,7 miliardë paund për shkak të humbjes së produktivitetit dhe rritjes përkatëse të kostove shëndetësore dhe të kujdesit. Një analizë e botuar këtë muaj në revistën Canadian Medical Association Journal rekomandoi gjithashtu heqjen e ndryshimeve sezonale të orës, të cilat u vendosën për të shfrytëzuar më mirë dritën natyrale të ditës dhe për të kursyer karburant gjatë kohës së luftës.
Edhe presidenti Donald Trump është përfshirë në këtë debat. Në një postim në platformën Truth Social, në fillim të këtij muaji, ai deklaroi se ndryshimi i orës “i kushton vendit tonë një pasuri, është i dëmshëm për kriminalitetin, stresin e njerëzve, sportin dhe pothuajse gjithçka tjetër që mund të imagjinoni”.
Si ndikon realisht ndryshimi i orës në shëndetin tuaj
Ndryshimi i orës dhe ndikimi që ai ka më pas në gjumin tonë janë lidhur me uljen e produktivitetit dhe përkeqësimin e humorit, si dhe me një rritje të rasteve të infarktit dhe aksidenteve automobilistike.
Këtu përfshihen edhe raportimet për rritjen e çrregullimit afektiv sezonal (SAD), pasi papritur ndalojmë së «vjedhuri» dritën e ditës për ta zgjatur mbrëmjen, thotë Dr. Kelu.
Një studim i botuar në revistën Epidemiology ka zbuluar se ndryshimi i orës në vjeshtë lidhej me një rritje prej 11 për qind të episodeve të rënda depresive në spitale. Ndërkohë, një studim i ri nga Universiteti i Sidneit zbuloi se një në katër raste depresioni shkaktohen nga çrregullimi i orës biologjike të njerëzve, në atë që studiuesit po e quajnë “depresion cirkadian”. Gjithashtu, pavarësisht orës shtesë të gjumit, një studim i botuar në vitin 2024 në revistën Journal of Clinical Sleep Medicine zbuloi një rritje të rasteve të pagjumësisë.
Ndryshimi i orës duket se ndikon ndryshe te burrat dhe gratë. Një studim i përbashkët i Universitetit John Moores të Liverpulit dhe Universitetit të Oksfordit, ku u anketuan 12.000 persona, zbuloi se shëndeti mendor i grave përkeqësohej kur akrepat e orës ktheheshin një orë pas. Kjo shoqërohej me ngarkesë shtesë në jetën familjare, përfshirë vështirësitë në përshtatjen e fëmijëve të vegjël me rutinat e reja dhe zgjimin më të hershëm. Në të kundërt, burrat raportuan mirëqenie më të lartë, të nxitur nga ndjesia se kishin arritur të bënin më shumë gjëra falë orës shtesë.
“Pas një jave, shumica prej nesh arrijnë të përshtaten. Por disa njerëzve mund t’u duhet deri në një muaj”, thotë Dr. Kelu. “Ata që qëndrojnë zgjuar deri vonë e kanë më të vështirë të përshtaten sesa ata që zgjohen herët”.
Përtej efekteve afatshkurtra, ajo që e shqetëson më shumë Dr. Kelu është ndikimi që tronditja e sistemeve tona dy herë në vit mund të ketë me kalimin e kohës. Ka prova që e lidhin këtë me obezitetin, diabetin dhe problemet kardiovaskulare.
Pjesa më e madhe e kërkimeve mbi efektet e dëmshme të çrregullimit të ritmit cirkadian shqyrton ndikimin në shëndetin e personave që punojnë me turne. Një studim i vitit 2025 tregoi se këta persona kishin më shumë gjasa të zhvillonin obezitet, së bashku me pasojat metabolike dhe kardiovaskulare që lidhen me të. Sipas Dr. Kelu, ndikimi i ndryshimit të orës është më i lehtë për t’u vënë re, por mund të grumbullohet me kalimin e kohës.
Një studim i vitit 2024 tregoi se çrregullimi i orës cirkadiane të trupit rrit rezistencën ndaj insulinës dhe prish ekuilibrin e glukozës në gjak. Kjo ndodh kur trupi nuk arrin ta mbajë nivelin e sheqerit në gjak brenda kufijve të sigurt, duke kontribuar në zhvillimin e diabetit të tipit 2.
“Kohët e fundit, studiuesit janë përqendruar te mënyra se si ora cirkadiane mund të rregullojë jetëgjatësinë tonë”, vijon ai. “Te kafshët, e dimë se nëse ua çrregullon vërtet orën biologjike, ato nuk jetojnë aq gjatë”.
Si të parandaloni që ndryshimi i orës të ndikojë në shëndetin tuaj
Jo gjithçka është lajm i keq. Ka mënyra për të zvogëluar ndikimin e kthimit të akrepave të orës gjatë ditëve dhe javëve në vijim. Veçanërisht këtë mbrëmje, të dielën, më 25 tetor, Dr. Kelu këshillon të shmangni dritën blu që emetojnë pajisjet tuaja, pasi ajo do të ndikojë në orën biologjike, e cila tashmë është e çrregulluar.
Drita blu pengon prodhimin e melatoninës, hormonit të gjumit që ju ndihmon të bini në gjumë. «Duhet ta ndihmoni trupin tuaj të përshtatet sa më lehtë, pa e ngatërruar atë».
Dr. Kelu rekomandon të dilni jashtë sapo të zbardhë dita, në mënyrë që të ekspozoheni drejtpërdrejt ndaj rrezeve të diellit.
«Drita është sinjali më i fuqishëm për sinkronizimin e orës biologjike, edhe nëse dita është me re», thekson Dr. Kelu. «Nëse kjo nuk është e mundur, uluni pranë një dritareje». Mjaftojnë 15 deri në 30 minuta ekspozim për të pasur efekt.
“Ushtrimet fizike, qoftë edhe thjesht një shëtitje, do t’u sinjalizojnë muskujve tuaj se është ditë”, thotë Dr. Kelu. “Ngrënia gjatë orëve me dritë, të cilat në këtë periudhë të vitit janë afërsisht nga ora 06:45 deri në 16:45, në vend që të hani pasi të ketë rënë errësira, do t’i dërgojë gjithashtu sinjalet e duhura mëlçisë suaj se është ditë dhe se ajo duhet të jetë gati për të përpunuar ushqimin“.
“Ne jemi zhvilluar për të ngrënë dhe për të gjuajtur gjatë dritës së ditës, prandaj sistemi ynë tretës i përthith më mirë lëndët ushqyese në këtë periudhë”, shpjegon Dr. Kelu. “Errësira është menduar të jetë koha e pushimit dhe e gjumit”.
Ulja e pashmangshme e ekspozimit ndaj dritës së ditës gjatë muajve të ardhshëm ka të ngjarë të ndikojë në nivelet e vitaminës D në organizmin tuaj. Studimet kanë treguar se marrja e suplementeve të vitaminës D mund të ndihmojë në përmirësimin e humorit gjatë muajve të dimrit. Ka gjithashtu prova se ushqimet që janë natyrshëm të pasura me aminoacidin triptofan, si mishi i shpendëve, peshku dhe produktet e qumështit, mund të ndihmojnë në rregullimin e gjumit.
Edhe pse mund të jetë tepër vonë për të filluar zbatimin e rekomandimit kryesor të Dr. Kelu, ia vlen ta mbani mend për pranverën e ardhshme.
“Gjatë javës përpara ndryshimit të orës, përshtateni pak nga pak orarin e gjumit, duke e ndryshuar me 15 minuta çdo ditë”, këshillon ai. “Kjo do ta ndihmojë trupin tuaj të përshtatet gradualisht”.
Ai rekomandon të bëni të njëjtën gjë edhe me orarin e gjumit të fëmijëve, si dhe me orarin e ushqyerjes së kafshëve shtëpiake; përndryshe, ndryshimi do të jetë një tronditje për sistemet e tyre biologjike./TheTelegraph












