Kosovë – Me rastin e 62 vjetorit të lindjes së ish-Presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, Kombëtarja shqiptare e veteranëve të futbollit ka marrë pjesë në turneun tradicional që zhvillohet në Prishtinë.
Ndeshjet janë zhvilluar pikërisht në stadiumin që mban emrin e ish-futbollistit të famshëm dhe ish-presidentit të ndjerë të FFK-së, Fadil Vokrri, duke mbledhur kështu emra që kanë bërë histori në futbollin mbarëkombëtar. “Kjo datë ka sjellë në jetë një nga legjendat e futbollit dhe ish-presidentin e FFK-së, Fadil Vokrri – tha presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka -. Do të kishim shumë dëshirë që të jetonte më gjatë, por me atë çfarë ka bërë gjatë gjithë jetës së tij dhe kontributin e dhënë për futbollin, ai, nuk do të vdesë kurrë. Nuk do të vdesë jo vetëm në memorien e komunitetit tonë të futbollit, por edhe në memorien e çdo shqiptari, si një njëri që ka kontribuuar në futboll, si një familjar i mirë por edhe në të gjitha këndvështrimet e tij”.
Sfida e parë e turneut, që organizohej në kujdesin e veçantë të Federatës së Futbollit të Kosovës, ka qenë ajo ndërmjet veteranëve të Prishtinës dhe Llapit, skuadra në të cilat luajti gjatë karrierës së tij ish-presidenti i FFK-së, dhe më pas ndeshja kryesore ajo ndërmjet veteranëve të Kombëtares së Kosovës dhe veteranëve të Kombëtares së Shqipërisë.
Shqipëria u mund nga Kosova me rezultatin 2-1, në ndeshjen vëllazërore dhe dhuroi plot emocione dhe spektakël. Kosova kaloi në epërsi në minutën e 2-të me golin e Xhavit Mehmetit, teksa më vonë ish-futbollisti i njohur i Prishtinës, Sheremet Isufi, shënoi në minutën e 25-të, duke fikusra shifrat në 2-0.
Në ceremoninë e zhvilluar në fund të turneut për ekipet pjesëmarrëse anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Ismajl Ajeti e Agim Nura, së bashku me emrat e njohur të futbollit si Ajet Shosholli, Sulejman Mema, Ramadan Cimili e Ramiz Krasniqi, shpërndanë medaljet, teksa ekipi i veteranëve të Kosovës u shpall fitues i trofeut “Fadil Vokrri”.
Kjo ishte sfida e dytë vëllazërore për këtë vit mes veteranëve të futbollit të Shqipërisë dhe Kosovës, teksa e para u luajt më 17 shkurt 2022 në Prishtinë, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. “Kur e njeh Fadilin jo vetëm si legjendë, por edhe si bashkëpunëtor e si mik, atëherë emocionet janë edhe më të mëdha – vlerësoi numri 1 i futbollit kosovar Agim Ademi -. Gjithmonë do ta kujtojmë në këtë datë në mënyrën tonë. Fadil Vokrri ishte mbret i fushës së blertë dhe jam shumë i lumtur që kam qenë bashkëpunëtor i tij për shumë kohë. Sot,
kjo datë është emocionuese normalisht edhe për familjarët, për kolegët e tij të karrierës, për bashkëpunëtorët e tij në FFK dhe për fansat e futbollit, të cilët deri më sot nuk mund ta zëvendësojnë Fadil Vokrrin, sepse ai i kishte gjërat e veçanta e që janë të paarritshme, pavarësisht se edhe tani kemi futbollistë të jashtëzakonshëm.
Sot, Fadili do t’i bënte 62 vjet. Ai jetoj pak por veprat e tij flasin sikur të jetonte 200 vjet. Prandaj, me veprat e tij, ai, gjithmonë do të jetë i pranishëm dhe nuk do të harrohet nga të gjithë shqiptarët”.