Me 65 doza kokainë në makinë dhe banesë, arrestohet 45-vjeçari në Lushnjë

Një 45-vjeçar është arrestuar në Lushnjë, pasi dyshohet se merrej me shitjen e lëndëve narkotike në doza. Në pranga ka rënë Emiljan Mehilli, banues në fshatin Krutje e Poshtme, i cili u kap në flagrancë gjatë operacionit policor të koduar “Gjurmimi”.
Sipas Policisë, 45-vjeçari u ndalua teksa qarkullonte me automjet në fshatin ku banonte.
Gjatë kontrollit të automjetit dhe më pas të banesës së tij, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan 65 doza kokainë, me një peshë totale prej 156 gramësh, të cilat dyshohet se posedoheshin me qëllim shitjen.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu një armë gjahu dhe 105 fishekë për të, dy peshore elektronike, një aparat celular, automjeti me të cilin lëvizte 45-vjeçari, si dhe një shumë parash në euro dhe lekë, që dyshohet se është përfituar nga shitja e lëndëve narkotike.
Njoftimi i policisë:
Lushnjë/Finalizohet operacioni i koduar “Gjurmimi”, goditen veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
Sekuestrohen lëndë e dyshuar narkotike Kokainë, një pjesë e saj e ndarë në doza, 1 armë gjahu dhe fishekë për të, 2 peshore elektronike, 1 automjet, 1 aparat celularë dhe një shumë e konsiderueshme parash e dyshuar e përfituar nga shitja e lëndëve narkotike.
Vihet në pranga poseduesi i tyre. Ai u kap në flagrancë me 65 doza Kokaine, në automjet, të cilat i posedonte me qëllim shitjen.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të siguruar në rrugë operative, për një shtetas që shiste lëndë narkotike, në doza, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, në bashkëpunim me strukturat e DVP Fier, finalizuan operacionin e koduar “Gjurmimi”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi E. M., 45 vjeç, banues në fshatin Krutje e Poshtme, Lushnjë.
Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë, ndërkohë që qarkullonte me automjet, në fshatin ku banonte.
Gjatë kontrollit në automjet dhe në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin:
-65 doza të lëndës së dyshuar narkotike Kokainë në total 156 gramë të kësaj lënde, 1 armë gjahu dhe 105 fishekë për të, 2 peshore elektronike, 1 aparat celularë dhe shuma parash (euro, lekë) të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.












