AKTUALITET

Protestuesit rigrupohen para Kryeministrisë/ Ndalin sulmet, vijojnë thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”

Një pjesë e protestuesve janë rigrupuar sërish në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa për momentin nuk raportohen më sulme ndaj forcave të policisë. Efektivët kanë ngritur një kordon përpara Kryeministrisë, ndërsa turma vijon të qëndrojë në bulevard pavarësisht ndërhyrjes së mëhershme me ujë me presion.

Thirrjet politike kanë vijuar në kor, me sloganin “Rama në burg, Berisha në burg”, ndërsa protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Gjatë tubimit nuk kanë munguar as ironitë ndaj deputetes socialiste Zegjine Çaushi. “Zegjine, Zegjine, 3 milionë jemi ne. Ti nuk di të numërosh, shko në shkollë të mësosh”, është dëgjuar nga turma.

Situata është tensionuar sërish në Tiranë. Një pjesë e protestuesve janë rikthyer në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pasi më herët ishin shpërndarë nga policia. Efektivët u kanë bërë thirrje të largohen nga zona dhe të lirojnë hapësirën përpara Kryeministrisë. Në të kundërt, policia ka paralajmëruar se do të vendosë gjoba ndaj personave që refuzojnë të zbatojnë urdhrin. 

Pavarësisht paralajmërimeve, protestuesit vijojnë të qëndrojnë para godinës së qeverisë dhe të brohorasin kundër saj. “Shqipëria e shqiptarëve, vjedhje e tradhtarëve”, është një prej thirrjeve që është dëgjuar në kor nga turma. Studentët dhe qytetarët e mbledhur kanë vijuar gjithashtu me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Rikthimi i protestuesve vjen pas disa orësh përplasjesh në qendër të Tiranës, ku më herët u përdor ujë me presion dhe u kryen disa shoqërime.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button