AKTUALITETEKONOMITOP-NEWS

Kreshpan/ Investim në teknologjinë moderne të përpunimit të ullirit, fabrika prodhon vaj ekstra të virgjër me cilësi të lartë

Cakran – Në fshatin Kreshpan, në Njësinë Administrative Cakran, një fabrikë moderne e përpunimit të ullirit po u vjen në ndihmë fermerëve të të gjithë zonës, duke ofruar teknologji të avancuar, cilësi në prodhimin e vajit dhe shërbim të dedikuar për grumbullimin e ullinjve.

Fabrika është në pronësi dhe administrohet nga Sabah Hoxha. Ajo është ndërtuar më shumë se dhjetë vite më parë, ndërsa gjatë viteve të fundit ka pasur investime të rëndësishme në modernizimin e saj. Vetëm një vit më parë është instaluar teknologjia më e fundit, ndërsa pak para nisjes së sezonit aktual të vjeljes dhe përpunimit të ullirit është zëvendësuar edhe një prej pajisjeve kryesore të linjës së prodhimit, e konsideruar si zemra e fabrikës.

Pas instalimit, specialistë të huaj kanë kryer provat teknike për të garantuar funksionimin e plotë të pajisjeve, duke i hapur rrugë nisjes së sezonit të ri të përpunimit.

Julian Hoxha, djali i pronarit të fabrikës, tregon se teknologjia e përdorur mundëson prodhimin e vajit të ullirit ekstra të virgjër, duke ruajtur cilësitë natyrore të produktit. Procesi teknologjik realizohet në kushte të kontrolluara temperature, përmes një sistemi me ujë të ftohtë, me qëllim ruajtjen e cilësisë dhe të karakteristikave të vajit.

Rezultati, sipas tij, është një vaj me ngjyrë të artë, shumë i pastër dhe me shije të veçantë, cilësi që kanë ndikuar në krijimin e një emri të mirë të fabrikës në tregun lokal.

Shërbim deri në derën e fermerit

Një tjetër element që e veçon këtë fabrikë është shërbimi që u ofron fermerëve. Përveç përpunimit, ajo ka krijuar një sistem të posaçëm grumbullimi, duke ua lehtësuar punën prodhuesve të ullirit.

Siç shpjegon Juliani, fermerët duhet vetëm të kryejnë vjeljen e ullinjve dhe t’i vendosin në thasë. Më pas, përmes dërgimit të vendndodhjes së saktë në Google Maps, punonjësit e fabrikës shkojnë me automjetet e tyre dhe i marrin ullinjtë drejtpërdrejt në fermë.

Pas mbërritjes në fabrikë, fermeri është i pranishëm gjatë gjithë procesit. Ullinjtë nxirren nga thasët, vendosen në arka plastike me kapacitet të përcaktuar, peshohen dhe më pas sistemohen në pritje të përpunimit.

Një rëndësi e veçantë i kushtohet ndarjes së prodhimit të çdo fermeri. Sasitë nuk përzihen me njëra-tjetrën, por përpunohen veçmas, duke garantuar që secili të marrë vajin e prodhuar nga ullinjtë që ka dorëzuar.

Në përfundim të procesit, vaji hidhet në bidonët e vetë fermerit, i cili mund ta marrë produktin e përfunduar dhe ta përdorë apo tregtojë sipas dëshirës.

Mundësi kompensimi me vaj dhe grumbullim për eksport

Për fermerët që nuk dëshirojnë të paguajnë shërbimin e përpunimit në para, fabrika ofron edhe një alternativë tjetër: kompensimin me një sasi vaji ulliri, sipas vlerës së shërbimit të kryer.

Gjithashtu, fabrika disponon autorizimin për grumbullimin e vajit të ullirit për eksport, duke krijuar një mundësi shtesë për tregtimin e prodhimit të fermerëve të zonës.

Gjithashtu, fabrika disponon autorizimin për grumbullimin e vajit të ullirit për eksport, duke krijuar një mundësi shtesë për tregtimin e prodhimit të fermerëve të zonës.

Sipas Julian, çmimi i vajit të ullirit të prodhuar në fabrikë varion nga 5 500 deri në 6 500 lekë të vjetra për litër, në varësi të cilësisë dhe kushteve të tregut.

Një fabrikë që mbështet fermerët e të gjithë zonës

Aktiviteti i fabrikës nuk kufizohet vetëm te fermerët e Kreshpanit. Ajo u shërben prodhuesve të ullirit edhe nga Cakrani, Vjosa, Varibopi, Frakulla e Vogël, Kafaraj dhe fshatra të tjerë përreth.

Në një zonë ku kultivimi i ullirit përbën një nga aktivitetet e rëndësishme bujqësore, investimi në teknologji moderne dhe shërbimet e ofruara për fermerët përbëjnë një mbështetje konkrete për prodhimin vendas.

Me më shumë se një dekadë aktivitet dhe me investimet e fundit në teknologji, fabrika e Sabah Hoxhës në Kreshpan synon të ruajë standardet e cilësisë dhe të forcojë pozicionin e saj si një prej pikave të rëndësishme të përpunimit të ullirit në zonën e Cakranit. / ALB365/ Xhemil Beharaj.

(Shkrim i sponsorizuar)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button