Aksident në aksin Fratar–Drizar, plagoset 25-vjeçari që drejtonte motoçikletën

Mallakastër – Një 25-vjeçar është aksidentuar pak minuta më parë në aksin rrugor dytësor Fratar–Drizar, në zonën e Mallakastrës.
Sipas informacioneve paraprake nga banorë të zonës, i riu ka qenë duke drejtuar një motoçikletë në momentin kur është aksidentuar. Ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Burime paraprake bëjnë me dije se 25-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë po shkojnë drejt vendit të ngjarjes për të dokumentuar aksidentin dhe për të përcaktuar rrethanat e tij.
Ende nuk dihet nëse i riu ka humbur kontrollin dhe është rrëzuar me motoçikletë, apo është përplasur nga një automjet tjetër. Shkaqet dhe dinamika e aksidentit pritet të zbardhen pas këqyrjes së vendit të ngjarjes nga grupi hetimor dhe ekspertët e Policisë Rrugore.







