SHËNDET

A ndikon ora kur pini kafe në jetëgjatësi

Një studim i ri i realizuar mbi më shumë se 40 mijë të rritur në Shtetet e Bashkuara ka nxjerrë në pah një faktor të ri që mund të ndikojë në jetëgjatësi: jo vetëm sasia e kafes, por edhe koha kur ajo konsumohet.

Hulumtimi, i cili zgjati afro një dekadë, konfirmon gjetjet e mëparshme se konsumimi i moderuar i kafes lidhet me përfitime të rëndësishme shëndetësore, si ulja e rrezikut për sëmundje të zemrës, goditje në tru dhe diabet tip 2. Por kësaj here, studiuesit u fokusuan tek momenti i konsumimit gjatë ditës.

Sipas rezultateve, personat që pinë kafe kryesisht në mëngjes përfitojnë më shumë. Ata kishin 16% më pak rrezik vdekjeje nga çdo shkak dhe 31% më pak rrezik vdekjeje nga sëmundjet kardiovaskulare, krahasuar me ata që nuk konsumonin fare kafe. Ndërkohë, ata që e konsumonin kafen gjatë gjithë ditës nuk treguan përfitime të dukshme në këtë drejtim.

Ekspertët sugjerojnë se arsyeja mund të lidhet me ritmin biologjik të trupit. Konsumi i kafes në orët e vona mund të ndikojë në prodhimin e melatoninës, hormonit që rregullon gjumin dhe ka rol në shëndetin e zemrës. Nga ana tjetër, në mëngjes, kur nivelet e inflamacionit në trup janë më të larta, efektet anti-inflamatore të kafes mund të jenë më efikase.

Në përfundim, studiuesit theksojnë se për një stil jetese më të shëndetshëm, nuk ka rëndësi vetëm sa kafe pini, por edhe kur e pini atë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button