SPORT

“Adios Garcia”, Flamurtari e shkarkon: 2 pikë në 6 ndeshje me ekipin më të investuar

Carlos Garcia nuk do të jetë më trajneri i Flamurtarit. Tekniku i ardhur me bujë në krye të kuqezinjve ishte një dështim total me impaktin e tij në futbollin shqiptar. Ndarja e rrugëve me teknikun ishte në ajër dhe drejtuesit e klubit vlonjat, duke përfituar edhe nga pauza e kampionatit për shkak të impenjimeve të kombëtareve kanë bërë lëvizjen. Natyrisht, në këtë pikë, ka ndihmuar qendrimi i teknikut Garcia që ka pranuar largimin me konsensus, duke e shpëtuar Flamurtarin nga një barrë e rëndë financiare.

Asnjë fitore e vlonjatëve, që janë skuadra më e investuar në këtë start kampionati. Në Vlorë nuk është se janë shtrënguar me shpenzimet dhe kanë bërë 14 përforcime, 13 nga të cilët të huaj ku spikatnin Jose Rodriguez, me një të kaluar te Real Madrid dhe Alessandro Bolzan në huazim nga Cagliari. Në të gjithë këtë investim tekniku Carlos Garcia në gjashtë ndeshje, tre i ka patur me skuadra jo pretendente. Dy pikët rrinë ngushtë e tani Flamurtari për më tepër duhet të gjejë edhe një trajner të ri për të ndryshuar fatet e një sezoni të nisur shumë keq.

Deklarata e Klubit

Flamurtari F.C. njofton se ka përfunduar me konsensus bashkëpunimin me trajnerin Carlos Garcia.
Klubi e falënderon për profesionalizmin, qytetarinë dhe vlerat që ka treguar gjatë periudhës së tij në drejtimin e skuadrës sonë.
Flamurtari F.C. i uron suksese në vazhdim të karrierës dhe e falënderon për kontributin e dhënë në klubin tonë.
Flamurtari Football Club

Moriero i favorizuar

Flamurtari është i fundit me 2 pikë dhe tani lëvizja e drejtuesve duhet të jetë e kujdesshme, duke qenë se trajnerit të ri do ti duhet të nisë të sistemojë gjërat në një ekip pa fizionomi dhe vazhdimisht të ndryshueshëm. I favorizuar duket Francesco Moriero, ish-tekniku i Laçit, që ka ndërhyrë edhe herë të tjera me sezonin në vazhdim. Kontaktet janë vendosur dhe mund të jetë ai njeriu që do të pasojë spanjollin Garcia. Sidoqoftë, një alternativë e fortë është edhe Orges Shehi, për të cilin Idrizi është interesuar për ta afruar në skuadër edhe në fillim të këtij sezoni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button