TECHTOP-NEWS

Aeroporti midis reve

Është ndër aeroportet më mbresëlënës të Kinës, u ndërtua për të nxitur turizmin dhe për t’i shfaqur botës madhështinë e lumit Jangce. Sot, ai gjithashtu tregon se inxhinieria kineze pothuajse nuk njeh kufij.

Në malet e Kinës jugperëndimore qëndron një vepër e jashtëzakonshme e njeriut: Aeroporti Chongqing Wushan, i ndërtuar në një lartësi prej 1,771 metrash dhe i përuruar në vitin 2019.

Për ta ndërtuar atë, një reliev që fillimisht arrinte 2,000 metra duhej të shembej, duke e rrafshuar malin në një ndërmarrje gjigante, që zgjati me vite dhe ishte e mundur vetëm falë teknologjisë së përparuar.

Ky projekt tregon shkallën në të cilën Kina është e aftë të transformojë edhe majat më të ashpra në pika hyrjeje për udhëtarët.

Pista prej 2.6 kilometrash kërkoi heqjen e kreshtave shkëmbore dhe mbushjen e luginave.
Sipas zërave lokale, maja e malit Taohua madje u “pre”, me gërmime kolosale, që përfshinin punën e mijëra punëtorëve dhe qindra makinerive.

Terminali, me një sipërfaqe prej afërsisht 3,500 metrash katrorë, është projektuar për t’i bërë ballë një mjedisi të ashpër: ngricave, borës, akullit dhe erërave të forta. Çatia, në veçanti, është projektuar të jetë plotësisht e papërshkueshme nga uji dhe akulli, ndërsa i gjithë kompleksi është përshtatur me klimën e ashpër malore.

Rezultati përfundimtar është një infrastrukturë, që duket sikur rri pezull midis qiellit dhe tokës.
Nuk është rastësi që njihet si “Aeroporti në re”: shpesh del mbi mbulesën e mjegullës, duke ofruar pamje marramendëse të Grykave të Lumit Jangce – Qutang, Wu dhe Shennüfeng… Fatmir Shqarri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button