Tuesday, November 26, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeAKTUALITETAfera McGonigal/ Gjoba pronarëve të televizioneve për vizat amerikane

Afera McGonigal/ Gjoba pronarëve të televizioneve për vizat amerikane

Që kur gjykata në SHBA vendosi se të dhënat që dalin në seancat e procesit kundër McGonigal duhet të mbeten sekrete, vizitat ekzotike të ish-agjentit të FBI-së në Shqipëri po harrohen ngadalë. Por dje, mes shpërthimit të nervave që ia dha konfiskimi i pronave në Golem, biznesmeni Irfan Hysenbelliu, njëkohësisht pronar i News24 riktheu historinë e Charles McGonigal.

Hysenbelliu rrëfeu se ia kishin sjellë amerikanin për një takim, në të cilin ai i kishte bërë një ofertë: Të paguante para për të marrë vizë në ambasadën amerikane.

“Edhe ai i FBI-së (McGonigal), e ka prurë edhe tek unë, është takuar me mua. Kam pirë një kafe për punën e vizës edhe më tha mund të të ndihmoj me avokat. I kam thënë “Jo”. Nuk marr vizë amerikane me pagesë, i thashë. Po e meritova do ta marr”, ka pranuar ndër të tjera Hysenbelliu.

Dëshmia e Hysenbelliut nuk vjen si surprizë, por është konfirmimi i parë direkt për variantin se biznesmenët shqiptarë u vunë në shënjestër nga McGonigal. Ose do të paguanin para, ose nuk merrnin vizë në ambasadën amerikane.

Një tjetër pronar mediash e ka pranuar tërthorazi gjobën nga McGonigal. Sipas Sali Berishës, ky është Ylli Ndroqi, pronar i Ora dhe Ora News.

Kur bëri pohimin, Berisha pranoi se kishte marrë konfirmimin e Ndroqit për ta deklaruar publikisht këtë informacion.

“Ekipi i famëziut McGonigal, tradhtarit të kombit amerikan, mafiozët Dorian Duçka dhe Agron Neza, kalonin nga një lokal në tjetër, nga një hotel në tjetër, duke bërë gjahun e biznesmenëve për t’u zhvatur atyre miliona euro.

Njëri nga këta biznesmenë, të cilit i kanë kërkuar në maj të vitit 2022, miliona për ta hequr nga lista e zezë, është sipërmarrësi i njohur, është drejtuesi i rrjetit televiziv, Ora Neës, Ylli Ndroqi.

Dorian Duçka dhe Agron Neza, këta mafiozë kriminelë dhe të pafytyrë, jo vetëm i kanë kërkuar këtij sipërmarrësi gjobën, por refuzimi i tij në prani të dëshmitarëve, t’ua paguajë atë, është shoqëruar me kërcënime të mëvonshme nga ana e këtyre dy mafiozëve. Unë e përgëzoj zotin Ylli Ndroqi për qëndrimin që ai ka mbajtur. Këtë denoncim ai e ka bërë edhe zyrtarisht pranë autoriteteve amerikane”, tha Berisha.

Gjahu i McGonigal mes biznesmenëve shqiptarë u raportua edhe nga një media lokale në SHBA, Washington Examiner. Raportimi nuk u mor seriozisht në Tiranë, jo vetëm për shkak të anonimatit të burimeve të medias amerikane, por edhe për shkak të shumave të mëdha që sipas gazetarëve amerikanë ishin “vjelur” nga ish-zyrtari i lartë i FBI-së.

“McGonigal u tha biznesmenëve shqiptarë, të cilët jo të gjithë ishin nën kontrollin e qeverisë Rama, se do të përballen me sanksione nga SHBA, të cilat do të shkatërronin bizneset e tyre, do t’u sekuestronin llogaritë bankare dhe do t’i jepnin fund udhëtimeve të tyre jashtë vendit. Megjithatë, McGonigal mund ta rregullojë këtë problem për një tarifë modeste prej disa milionë dollarësh. Mesazhi ishte i qartë: Më paguani ose do të shkatërroj jetën tuaj. Shqiptarët e shqetësuar e morën seriozisht këtë kërcënim, duke pasur parasysh qëndrimin e McGonigal në FBI, dhe shumë prej tyre e paguan. Disa kanë paguar “vetëm” 3 milionë euro. Të tjerët paguanin shumë më tepër.

Burimet më thonë se McGonigal tronditi një biznesmen, për 12 milionë euro, me vlerë afro 15 milionë dollarë në 2017. Me sa duket, McGonigal u përpoq të merrte ryshfet edhe nga një biznesmen i rëndësishëm shqiptar, në një mënyrë të ngjashme. Burimet ballkanike thonë se përfitimi i McGonigal nga kjo tronditje ishte rreth 30 milionë euro, por me sa duket kjo shumë ishte e ndarë me partnerin e tij shqiptar.

Ku shkuan paratë?” raportonte Washington Examiner.

Deklarata me zë dhe figurë e Irfan Hysenbelliut, dëshmia e tërthortë i Ylli Ndroqit dhe shkrimet e mediave amerikane plotësojnë panoramën e një aktiviteti gjobëvënës të McGonigal në Shqipëri. Gjithçka në këmbim të një vize. Ambasada amerikane në Tiranë nuk ka pasur asnjë reagim në lidhje me këtë çështje.

Pak kohë më parë, Lapsi.al dërgoi me email disa pyetje të thjeshta, për të kuptuar nëse McGonigal ishte i shoqëruar nga diplomatët amerikanë, kur takoi kryeministrin apo, nëse selia e rrugës së Elbasanit ishte në djeni të axhendës së tij në Tiranë. Por McGonigal mbetet një tabu në mesazhet e ambasadës për mediat./Lapsi

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME