AKTUALITETEKONOMITOP-NEWS

Alarm në Libofshë! Lumi Seman çan argjinaturën, qindra hektarë nën ujë – rrezikohen banesat (foto e vidio)

LIBOFSHË – SITUATË KRITIKE NGA PRURJET E SEMANIT

Lumi Seman ka çarë mesditën e sotme argjinaturën në disa segmente, në afërsi të fshatrave Ndërnënas dhe Hasturkas, në njësinë administrative Libofshë, si pasojë e prurjeve jashtëzakonisht të larta të ditëve të fundit. Uji ka dalë përtej argjinaturës duke vërshuar me shpejtësi drejt tokave bujqësore, çka ka shkaktuar alarm dhe panik tek banorët e zonës.

Sipas tyre, një situatë e tillë nuk është parë kurrë më parë. Banorët shprehen të frikësuar për rritjen e mëtejshme të nivelit të ujit, i cili po i afrohet ndjeshëm zonave të banuara.

“Një prurje të tillë nuk e kemi parë asnjëherë. Nëse vazhdon kështu, rrezikohen shtëpitë.”

NDËRHYRJE EMERGJENTE NË TERREN

Përballë kësaj situate alarmante, Forcat e Bordit të Kullimit ndodhen në terren dhe po punojnë intensivisht me mjete të rënda për disiplinimin e ujrave. Ndërhyrja po kryhet në kolektorin që grumbullon prurjet drejt hidrovori të Karavastasë, me qëllim shmangien e përmbytjes së banesave dhe mbrojtjen e paneleve fotovoltaike, të cilat ndodhen në rrezik të drejtpërdrejtë.

“Po punohet pa ndërprerje për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të shmangur dëmet në zona të banuara.”

QINDRA HEKTARË TOKË BUJQËSORE NËN UJË

Ndërkohë, dëmet në bujqësi janë të konsiderueshme. Qindra hektarë tokë bujqësore tashmë ndodhen nën pushtetin e ujit, duke rrezikuar seriozisht prodhimet dhe të ardhurat e fermerëve të zonës, të cilët kërkojnë vëmendje dhe ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse.

Situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa autoritetet u bëjnë apel banorëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të qëndrojnë të informuar për çdo zhvillim të ri, pasi prurjet e lumit vijojnë të jenë të larta dhe rreziku ende nuk ka kaluar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button