AKTUALITETTOP-NEWS

Alarmi/ Rinia fierake mes drogës dhe shpresës. Qytetarët kërkojnë veprim, policia nis aksionet. (foto e video)

Fier – Prej disa muajsh qytetarët fierakë ngrenë alarmin për një fenomen që po bëhet shqetësues ditë pas dite: konsumimi i lëndëve narkotike nga të rinjtë, në hapësira pallatesh dhe ambiente të pabanuara. Banorët thonë se ky realitet është i dukshëm çdo ditë, ndërsa kërkesat e tyre për ndërhyrje kanë shtyrë policinë e Fierit të shtojë kontrollet.

Operacionet e fundit të bluve kanë si synim jo vetëm goditjen e grupeve të trafikut të drogës, por edhe evidentimin e përdoruesve të rinj, të cilët shpesh konsumojnë në zona të izoluara pranë pallateve apo objekteve të braktisura.

Në një nga komplekset e pallateve as 300 metra larg qëndrës së qytetit, në ish-godinën e stacionit të trenit dhe në një ndërtesë të braktisur pranë një shkolle private fare pranë Bashkisë Fier, gjurmët dhe pamjet flasin qartë për praninë e konsumit. Po të njëjtën gjë e dëshmojnë edhe qytetarët.

Por përtej kontrollit policor, psikologët në biseda të ndryshme theksojnë se rreziku më i madh është tek rinia, e cila shpesh e sheh drogën si “arratisje” nga problemet sociale dhe ekonomike.

Nga ana tjetër, statistikat zyrtare flasin vetë: vetëm gjatë muajit shtator, Seksioni i Narkotikëve në DVP Fier ka goditur 17 raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Në këto operacione, 10 persona janë arrestuar në flagrancë, ndërsa 7 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Banorët kërkojnë që kontrollet të jenë të vazhdueshme dhe fenomeni të mos shihet vetëm si shifër, por si një rrezik real për të ardhmen e brezit të ri. Ata apelojnë që institucionet të ndërhyjnë jo vetëm me masa represive, por edhe me edukim, sensibilizim dhe mbështetje për të rinjtë që mund të bien pre e këtij vesit.

Ky është alarmi i qytetarëve fierakë: rinia mes drogës dhe shpresës – dhe “lufta”për ta fituar këtë betejë nuk është vetëm e policisë, por e gjithë shoqërisë.  ALB365/Xhemil Beharaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button