Nga Përparim Gjeka – Paratë nga të ardhurat e djersës së shqiptarëve në Shqipëri dhe kudo në botë janë në qarkullim të përditshëm me blerje shitjet e tregut duke mbajtur gjallë jetën dhe ekonominë e rrënuar, kurse kursimet janë nëpër banka me llogari të rregullta, shuma të arsyeshme cash mund të depozitohen në çdo kohë në çdo bankë të botës.
Paratë e bizneseve që kanë deklaruar fitimet e kanë paguar taksat e shtetit nuk kanë nevojë për amnisti fiskale. Atëherë ku janë, çfarë janë paratë “tepër” që do të amnistojë qeveria dhe kush i ka ato?
Janë tre kategori të mëdha:
- Titullarët e qeverive dhe institucioneve shtetërore që kanë hedhur firma në shpërndarjen e buxhetit të shtetit. Nëse marrim për referencë vetëm raportet e Kontrollit të Lartë të shtetit për shpërdorime, abuzime dhe vjedhje me tendera, transaksione okulte, mosgrumbullim të ardhurash dhe blerje e shitje të tjera në regjistrat shtetërore çdo vit avullojnë afër 1 miliardë dollarë, pa llogaritur ato që nuk janë kapur apo janë falur nga KLSH, ka dyshim të arsyeshëm se çdo vit dalin mangut në buxhetin e shtetit dhe “tepër” në llogaritë bankare, vilat, kasafortat, dysheqet apo tubat e aspirimit të zinxhirit drejtues nga kryeministri deri te kryepastrueset rreth dy miliardë dollarë amerikanë që duhen pastruar.
- Oligarkët shqiptarë b.thë e br.kë me qeveritarë, të cilët marrin tenderat e fryrë, sheshet e ndërtimit, tregje oligopol, karta bianca në tatime e dogana, pasuri strategjike kombëtare si investitore strategjikë, punë publike në funksion të biznesit të tyre, etj. Këtyre u dalin “tepër” para të padeklaruara të mbetura nga ato që nuk u kanë dhënë pjesën pushtetareve, dhe jo biznesit të ndershëm e të nëpërkëmbur nga rregullat e prishura të tregut. Biznesi i ndershëm brenda dhe jashtë vendit nuk ka probleme me para tepër, madje nuk i dalin të investojnë për rritjen e biznesit.
- Bosët e drogës, kapot e trafiqeve dhe të prostitucionit, qofshin këta shqiptarë apo partnerët e tyre të huaj që kërkojnë hapesira për pastrimin e parave të tyre meqë e kanë vështirë në vendet e tyre, por krimi i organizuar gjen terrenin më të ngrohtë në Shqipëri. Duhet thënë se në Shqipëri tashmë prej vitesh nuk kuptohet se ku fillojnë e ku mbarojnë këto tre grupe sepse qeveritarë, oligarkë dhe kapo të krimit të organizuar janë një familje e të gjithë i kërkojnë ligj amnistie kapobandës, edhe pse partnerët ndërkombëtarë janë absolutisht kundër.
Në këto kushte amnistia që duhet është një ligj i përkohshëm faljeje për ata abuzues e përfitues nga djersa dhe gjaku i shumicës dërrmuese të shqiptarëve, një ligj ku u falet përshembull gjysma e dënimit me burg atyre nga tre grupet e mësipërme që pendohen për krimet ekonomike që kanë bërë, nëse dorëzojnë në buxhetin e shtetit gjithë shumat e përfituara abuzivisht në një amnisti kombëtare 6 mujore.
Në të kundërt, të gjithë që kapen pas asaj periudhe, gjithë masat shtrëngohen deri në dyfishim të atyre aktuale.
Pse ky parlament dhe ky kryeministër nuk kërkon dhe miraton një ligj të tillë e kemi të qartë të gjithë; ata janë për vete orkestrues dhe përfituesit më të mëdhenj të kësaj kasaphane qeveritare të ndërtuar në 32 vjet. Vërtet kasaphane, sepse me të paktën 32 miliard dollarë tepër në xhepat e tyre, do ishin ndërtuar dhjetëra spitale moderne e do kishin shpëtuar mijëra jetë, do ishin ndërtuar qindra kilometra më shumë sipërfaqe rrugë e do ishin shpëtuar mijëra jetë aksidentesh, do ishin ndërtuar qindra shkolla, qendra rinore, stadiume, kinema, qendra kulturore, institucione shkencore, politika zhvillimi rural etj. të cilat do kishin mbajtur në shtëpitë e tyre qindra mijëra njerëz të ikur tashmë në emigrim ku shumë prej tyre kanë lënë kockat nëpër gomone, maja malesh, burgje, kacafytje bandash per mbijetesë, kushte të pasiguruara pune … Deri edhe hidrocentrale dhe burime të tjera energjitike do ishin ndërtuar, duke shpëtuar qindra jetë të ikura nga të ftohtit apo qelive për mospagim dritash.
Atëherë nëse nuk pritet nga politika, sytë janë nga drejtësia.
Po pse SPAK kap cironka dhe nuk kap peshkaqenë? Pse SPAK kap banda, por nuk kap kapobanda? Po kush janë kapobanda? Nëse nuk njohim mirë kapot e krimit të organizuar, ne njohim shumë mirë kapot politikë.
Ata që kanë firmosur shifrat më të mëdha për harxhimin e buxhetit të shtetit kanë radhitje emrash në bazë të shumave dhe ata janë pak a shumë sipas kësaj renditjeje:
Edi Rama
Sali Berisha
Ilir Meta
Fatos Nano
Erion Veliaj
Vangjush Dako
Lulzim Basha
Pandeli Majko
Etj.
Nëse buxheti i shtetit është shpërdoruar, kryetari i qeverisë ka bërë shpërdorim detyre dhe të merret nga SPAK. Nëse nuk ka aktualisht një ligj të tillë që do ishte tepër logjik, dhe jo alogjik si tani kur ky kryeministër tallet me popullin e vet kur thotë unë nuk i shikoj fare çfarë firmos, por firmos tak tak tak çfarë i sjellin mbi tavolinë, atëherë ka ligj ku SPAK fillon hetime kryesisht, pra pa pasur ndonje indicie konkrete apo kallëzim penal.
Në fund të fundit SPAK dhe BKH për këtë punë u krijuan, për zyrtarët e lartë dhe krimin e organizuar, dhe është e natyrshme që hetimi të fillojë nga zyrtarët më të lartë. Nëse fillon hetim kryesisht për kryeministrin dhe ish kryeministrat, për kryetarët dhe ish kryetarët e bashkive të mëdha, ky do ishte SPAK-u që duam. Le të bëhet një hetim i pasurive të tyre, sa rroga kanë marrë për këto vite dhe sa kanë shpenzuar realisht, sa para dhe depozita offshore, prona dhe pasuri të tjera kanë realisht dhe jo ato që kanë vetëdeklaruar në ILDPK, bashkë me familjet e tyre biologjike dhe nepotike.
Ja kaq, një telefonatë nga ata që formuan SPAK dhe një firmë nga kreu i SPAK larg nga qelia janë këta që hiqen si të përjetshëm në politikë. Kjo ishte lufta për kreun e SPAK, luftë reale sepse ishte për jetë a vdekje për ta, por edhe për ne. Nëse nuk goditen ata, vdesim ne, vdes vendi i shqiponjave.
Ju mendoni se shërbimet partnere dinë çdo gjë për Rusinë, por nuk dinë sa të korruptuar janë këta dhe ku i fshehin paratë? Ju mendoni se ambasadori LU dinte qe ishin katër klane dhe 20 familje por nuk u dinte emrat?
Janë të gjithë një firmë larg, pritet zgjimi i shqiptarëve për të marrë në dorë fatet e vendit. Ku janë ata shqiptarë të mirë, të zotë e të guximshmëm palidhje me këtë kastë politike 32 vjeçare? Nëse janë vetëm në mërgim le ta formojnë qeverinë në mërgim, si Kosova e pushtuar asokohe, sepse de facto Shqipëria është e pushtuar, e pushtuar nga krimi i organizuar politik, ekonomik dhe mafioz.
Përparim Gjeka, 23 janar 2023