OP/ AN

Kur heshtet një media, mbulohet një padrejtësi


Nga Miranda Kastrati – Pisllëku më i madh që më kanë parë sytë në këtë vend. Keqardhje e madhe për News24 që me të vërtetë ka qenë institucion dhe sheh këtë ditë të zezë për 1000 arsye. Keqardhje për kolegët e mi, të djeshëm dhe të sotëm aty. News24 kishte një domethënie të veçantë shpirtërore për të gjithë, ndaj dhe ata që iknin e gjenin veten sërish te dyert e tij për një ritakim, për një kafe, për të risjellë në mend ditë të bukura e të vështira të kaluara aty.

Jam me çdo koleg, pranë tyre dhe kundër çdo pisllëku që luhet para apo në prapaskenë. Por ajo pronë, media aty ishte e publikut që ka pritur e përcjellë me vite, që vetë gazetarët e punonjësit i kanë pritur te dyert si të ishte një institucion për zgjidhjen e halleve të çdokujt, të veshur mirë, apo me lecka, të ngrënë apo të pangrënë.

Keqardhje për vendin tim që po e shoh në këtë ditë dhe këto skena po përsëriten gjithmonë e më shpesh.
Me vete mbaj mërzi, inat, pafuqi, trishtim, dhimbje, për këtë ditë të zymtë për median në Shqipëri. Kur heshtet një media, mbulohet një padrejtësi dhe s’ka më të tmerrshme se padrejtësia. E kjo nuk mbaron me kaq, efekti domino do vazhdojë me media të tjera. Asnjë media sot në vend nuk është imune. Shoqëria nuk duhet të heshtë sot! Ashtu si gazetarët, kameramanët, montazhierët, teknikët e gjithë punonjësit e medias ishin pranë saj në ditë të mira e të këqija, ashtu duhet të reagojë dhe shoqëria sot me forcë kundër heshtjes së një medieje.

Zhgënjimet e kësaj shoqërie nuk mund t’i përvishen dhjetëra punonjësve të medias që funksionojnë ditë dhe natë, festa e fatkeqësi, dimër e verë për t’u shërbyer qytetarëve dhe publikut.
Sot jam me kolegët e mi të News24/ BalkanWeb/ Panorama, por edhe të gjithë ata që po kalojnë vështirësi të shumta për shkak të profesionit që zgjodhën dhe që vazhdojnë ta bëjnë më shumë nga pasioni se nga shpërblimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button