Ish-drejtoresha e koncesioneve Alda Klosi, në Ministrinë e Ekonomisë në kohën kur ministër ishte Arben Ahmetaj, është arrestuar mbrëmjen e sotme pas një dëshmie të gjatë të dhënë në polici të ish-pastrueses së saj Rozeta Dobi. Raportohet se Dobi është marrë në pyetje në ambientet e Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit.
“Pashë shumë para. Kam pastruar 8 shtëpi. M’i la t’i fshihja. Shpesh i shikoja nëpër kuti” – citohet të ketë rrëfyer pastruesja Rozeta Dobi sipas asaj që raporton TCH. Pastruesja akuzohet për vjedhjen e të paktën 120 mijë eurove. Burimet thanë se ish-zyrtarja akuzohet për mosdeklarim të të ardhurave dhe pastrim parash.
Ishte vetë Dobi që nisi historinë e këtij skandali me denoncimin që bëri në polici për vjedhjen e banesës së saj të marrë me qira tek “Rruga e Kosovarëve” më 15 dhjetor. Ajo deklaroi se i ishin grabitur 120 mijë euro dhe sende me vlerë.
E dyshuara kryesore për këtë ngjarje ishte pastruesja e saj Rozeta Dobi e cila u vu në pranga pas vetëm 3 javësh së bashku me djalin e saj Havier Dobin. Nga përgjimi i dialogut mes nënë e bir në dhomën e ndalimit policia zbuloi edhe 400 mijë euro të tjera në tubin e aspiratorit të banesës së tyre.
Para uniformave blu Rozeta Dobi ka dëshmuar më herët se vjedhjen e ka kryer në shenjë hakmarrje ndaj Alda Klosit pasi e urrente për mënyrën si ajo e trajtonte. Ende enigmë ka mbetur burimi i këtyre shumave të mëdha të parave. Edhe për shumën e 400 mijë eurove nuk ka ende një pronar.