LIFE STYLE

Historia/ Mblidhen 1.3 milionë $ për veteranin 88-vjeçar që punon ende

Një veteran 88-vjeçar i Ushtrisë Amerikane është bërë viral pasi zbuloi se punon 5 ditë në javë në një dyqan ushqimor vendas për të siguruar jetesën. Kjo shkaktoi një shpërthim bujarie nga klientët e dyqanit të cilët janë bashkuar për të mbledhur më shumë se 1 milion dollarë për pensionin e tij.

Sipas “New York Post”, Ed Bambas, i cili punon si arkëtar në një dyqan “Meijer” në Brighton, Michigan, e humbi pensionin 13 vjet më parë, por pavarësisht moshës së tij të madhe, detyrohet të punojë 40 orë në javë sepse të ardhurat nuk janë të mjaftueshme për të jetuar.

“Unë dola në pension nga General Motors në vitin 1999. Në vitin 2012, ata falimentuan dhe humba edhe pensionin tim”, – i rrëfeu Bambas influencuesit australian Samuel Weidenhofer në një video të postuar në Instagram.

Në një rrëfim prekës, 88-vjeçari zbuloi se fillimisht ishte financiarisht i sigurt kur doli në pension, me një shtëpi dhe një bazë të qëndrueshme financiare, derisa mbeti pa asgjë kur gruaja e tij e dashur u sëmur, një ngjarje e dhimbshme që e detyroi të kthehej në punë.

“Ajo që më lëndoi më shumë ishte se kur gruaja ime u sëmur rëndë, ata kishin marrë pensionin tim, morën edhe mbulimin tim të kujdesit shëndetësor dhe 10 000 dollarë që ishte shuma totale nga sigurimi im i jetës”, – tha Bambas, duke u përpjekur të mbante lotët.
Për të paguar shpenzimet mjekësore, Bambas nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të shiste shtëpinë dhe pronën e tij vetëm për të “mbuluar jetesën”.

Të jetonte pak nga jeta që ëndërronte

Ai thotë se ëndrra e tij është të jetojë “pak” nga jeta që ëndërronte. Gruaja e tij, Joan, me të cilën ishte i martuar për më shumë se 50 vjet, ndërroi jetë 7 vjet më parë.

Duke folur për WYXZ , një media lokale në Detroit që e kontaktoi pasi historia e tij u publikua, Bambas pranoi se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të punonte dhe se u përpoq për të gjetur një punë.

“Pasi ndërroi jetë gruaja ime, nuk kisha të ardhura të mjaftueshme. Nuk ishte e vështirë për mua ta bëja sepse e dija që duhej ta bëja. Jam me fat që Zoti më dha një trup mjaftueshëm të mirë për të qenë mjaftueshëm i fortë për të qëndruar atje për 8 orë, 8 orë e gjysmë në ditë.”

Weidenhofer i dha Bambas një bakshish prej 400 dollarësh për ta ndihmuar, përpara se të hapte një faqe GoFundMe, e cila kishte mbledhur më shumë se 1.3 milionë dollarë deri të mërkurën.

“Thjesht erdhi papritur, e them me bindje”, tha Bambas për median. Dhurimi më i lartë ishte 10,000 dollarë nga një donator anonim, ndërsa kontribuuan edhe këngëtarët Charlie Puth dhe Russell Dickerson, ish-kandidati i Grammy.

“Pavarësisht gjithçkaje që i ka ndodhur, Ed shfaqet çdo ditë me dinjitet, forcë dhe këmbëngulje. Historia e tij është një kujtesë e fortë se kaq shumë nga të moshuarit tanë, veçanërisht veteranët ushtarakë, përballen me sfida të jashtëzakonshme vetëm për të mbijetuar”, – shkroi Weidenhofer në GoFundMe.

“Po nis një fushatë për mbledhje fondesh për ta ndihmuar Edin të jetojë jetën që meriton, për t’i dhënë më në fund pak lehtësim, ngushëllim dhe qetësi shpirtërore që vjen nga dija se mund të shijojë vitet e tij të fundit pa luftë të vazhdueshme”, shtoi ai.

“Influencuesi i mirësisë”, siç njihet ai, ende nuk ia ka treguar Babas shumën mbresëlënëse të mbledhur nga historia e tij frymëzuese, duke thënë se zbulimi i madh do të vijë si surprizë brenda pak ditësh, sapo të përfundojë mbledhja e fondeve dhe të krijohet një llogari bankare e sigurt.

Videoja prekëse është parë më shumë se 5 milionë herë në TikTok dhe ka mbi 613 000 pëlqime në Instagram, por Bambas nuk e ka parë.

“Nuk kam qenë kurrë i përfshirë në këto programe. Nuk kam një nga këto telefonat celularë të shtrenjtë. Në fakt, ende kam një telefon të palosshëm vetëm për të folur me njerëzit”, – tha ai për WYXZ.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button