OP/ ANTOP-NEWS

“Tortë në fillim, kafe në fund” – Ç’po zihet  në pastiçerinë e Fierit?

Një fjalë e urtë popullore thotë: “Tok me gushtin shkoi dhe vapa, zoti na ruajt se ç’dimër vjen prapa.”

Dhe me sa duket kështu ndodhi edhe me shoqen Belinda.

Ajo erdhi në Fier si drejtuese politike në vapën e gushtit, ose siç e quan vetë “zhegu i gushtit”. Pikërisht në pedonalen e vogël të qytetit, në një nga lokalet më të njohura të ëmbëlsirave, bashkë me shoqen Antoneta, pas një bisede me pastiçierin, Belindën e ulën në tavolinë dhe i servirën tortën “Belinda”.

Një tortë që edhe vetë fierakët s’e dinin që ekzistonte me atë emër. U tregua historia e saj, u bënë foto, video, postime në rrjetet sociale, kronika, portale – pra, gjithçka sipas ritualit.

Dhe siç thotë populli: “Dardha e ka bishtin pas”. Nëse të presin me ëmbëlsirë, mos u çudit pastaj nëse të përcjellin me kafe.

Dhe kështu ndodhi. Po po, fiks kështu.

Pak ditë më parë, deputetja e qarkut Fier, Antoneta Dhima, bashkë me Belinda Ballukun – këtë radhë të shoqëruara edhe nga deputeti tjetër i PS, Ceno Klosi – u ulën sërish në të njëjtin lokal. Aty ku dikur u shijua torta “Belinda”, tani u porosit vetëm kafe.

E njëjta pastiçeri. E njëjta pedonale. Po këtë radhë pa ëmbëlsirë, vetëm një kafe simbolike.

Fierakët i panë dhe, me të drejtë, nisën të thonë:

“E pritën me tortë, e përcollën me kafe Belindën!”, sot, vetëm pak orë pasi lajmeve për largimin e saj nga qeveria.

Por pastaj lind pyetja natyrale:

Mos vallë deputetja Dhima po “heq këmbën zvarrë” edhe për Ceno Klosin, meqë pinë kafe bashkë? Ashtu siç provoi dikur me Belindën, në të njëjtin vend, në të njëjtin lokal?

Epo, kjo është një histori që fierakët e ndjekin me shumë interes.

Tani mbetet të shohim se si do të zhvillohen ngjarjet dhe ç’rrjedhë do marrë ky “ritual” politik midis tortave dhe kafesë.

Deri atëherë… le të presim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button