Ministri i Punëve të Brendshme, Taulant Balla ka zhvilluar sot takim me strukturat në varësi të institucionit që ai do të drejtojë.
Balla ka kërkuar arrestimin e djalit të Rrahman Rrajës dhe u bëri të qartë drejtuesve të policisë se kush deputet ndërhyn në punën e tyre, nuk do të ketë asnjë tolerim, ndërsa u sugjeroi që emrat e tyre ti adresojnë tek ai.
“I kam kërkuar që drejtuesve që të arrestohen vëllai dhe djali i ish-deputetit Rraja. Ajo skenë në Fushë Krujë nuk duhet që të përsëritet më. Shkaqet e atij dështimi janë ende aty, sot kanë marrë detyrën drejtuesit e rinj. Qytetarët janë arsyeja se përse ekziston policia. Polica nuk mund të bëhet krah me të fortin dhe të dënojë të dobtin. Në çdo komunitet, duhet të ketë polici të fortë.
Unë vij nga një jetë e tërë tanimë si deputet dhe mes deputetëve. Besoj se nëse do bëhej një garë se kush e kupton dhe e vlerëson më shumë rolin e deputetit, do të isha një pretendent serioz për ta fituar. Por asnjë deputet nuk duhet dhe nuk mund të ndërhyjë në punën tuaj, prandaj kush do të pranojë ndërhyrje nga deputetët, për çfarëdo lloj aspekti konkret në dinamikën e kryerjes së detyrës së vet, nuk do të mund të paraqesë asnjë justifikim për të qëndruar më tej në detyrë.
Deputeti ka të drejtë dhe detyrë t’ju drejtohet për çdo shqetësim, t’ju shprehë ankesat e qytetarëve siç e parashikon Ligji për Statusin e Deputetit, i cili kërkon që deputetit t’i kthehet përgjigje brenda një afati, që duhet respektuar. Ju keni detyrë t’i dëgjoni me respekt sa herë ju bie telefoni prej deputetëve, por për çdo rast që arsyeja e telefonatës përbën ndërhyrje në kryerjen e detyrës suaj, ju kërkoj që deputetin ta drejtoni tek unë. Besoj vetëkuptohet që kur them këtë për deputetin, ndërhyrja e kujtdo tjetër është e papranueshme.” tha Balla.